Gjermania kritikon SHBA-në për çmimet e larta të gazit
2022-10-08 13:47:22

Ministri gjerman për Çështjet Ekonomike dhe Veprimin Klimaterik, Robert Habeck, kritikoi çmimet e larta të gazit që vënë vendet miqësore furnizuese, si Shtetet e Bashkuara.

“Disa vende, madje edhe ato miqësore, po vendosin çmime astronomike në disa raste. Sigurisht, kjo sjell probleme për të cilat ka vend për diskutim”,- tha Habeck për gazetën “Neue Osnabruecker Zeitung” (NOZ), citon “Xinhua”.

Çmimet e gazit në Evropë janë dy herë më të larta se para fillimit të konfliktit Rusi-Ukrainë.

“Shtetet e Bashkuara u kthyen tek ne kur çmimet e naftës u rritën dhe rezervat kombëtare të naftës u shfrytëzuan edhe në Evropë. Mendoj se një solidaritet i tillë do të ishte gjithashtu i mirë për frenimin e çmimeve të gazit”,- tha Habeck

Që nga shtatori, nga Rusia në Gjermani nuk ka pasur lëshim të gazit përmes tubacionit “Nord Stream 1”. Javën e kaluar, u zbuluan rrjedhje të mëdha nëpër tubacione pas disa shpërthimeve në Norvegji. Rusia dhe SHBA-ja kanë akuzuar njëra-tjetrën për sabotim.

Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, po mbështetet shumë në gazin nga vendet e tjera. Vitin e kaluar, 95 për qind e gazit natyror të konsumuar në vend u importua, sipas Entit Federal të Statistikave (Destatis).

Habeck i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të grumbullojë fuqinë e tij në treg dhe të orkestrojë sjelljen e zgjuar dhe të sinkronizuar të blerjeve.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ajo preferonte të diskutonte një kufi të çmimit të gazit. (Irma)