Skema Kombëtare financon mbi 39 mijë fermerë me 3.4 miliardë lekë
2022-10-08 13:20:35

 Serrë në Shqipëri (Foto:ATSh)

Serrë në Shqipëri (Foto:ATSh)

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njoftoi se rreth 40 mijë është numri i fermerëve të disbursuar me fondet nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2022.

AZHBR-ja bëri të ditur përmes një njoftimi zyrtare se vijon kryerja e pagesave, subvencione për fermerët e kualifikuar përfitues nga Skema Kombëtare.

Sipas të dhënave të AZHBR-së, deri tani janë disbursuar 39.770 fermerë, me vlerë totale financimi 3.4 miliardë lekë, për mbështetje në sektorë të ndryshëm, si blegtori, bletari, prodhime bio, serra, inpute bujqësore, bimë mjekësore, certifikim, tregje bujqësore dhe peshkim.

Me një fond total prej 4.9 miliardë lekë nga buxheti i qeverisë shqiptare, Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi këtë vit, është më e madhja në financimet direkte për fermerët aplikantë.

“AZHBR vazhdon me disbursimin përfituesve të Skemës Kombëtare të mbështetjes për fermerët 2022, masa direkte dhe mbështetje me naftë. Me buxhetin prej 4.9 miliardë lekësh, qeveria shqiptare synon të ndihmojë të gjithë fermerët që kanë aplikuar, duke zbutur kostot e punës dhe duke i dhënë më shumë mundësi bujqësisë shqiptare që të rrisë prodhimin”,- shkruan AZHBR-ja në njoftimin zyrtar. (Irma)