Kina bën thirrje për të ndihmuar vendet afrikane në shtimin e kapaciteteve për të menaxhuar burimet natyrore
2022-10-07 12:31:53

Një i dërguar kinez i bëri thirrje të enjten bashkësisë ndërkombëtare të ndihmojë qeveritë afrikane për të forcuar kapacitetet e tyre në menaxhimin e burimeve natyrore, duke luftuar trafikimin e paligjshëm të burimeve natyrore dhe duke siguruar më efektivisht përfitime prej këtyre burimeve.

Foto:VCG

Foto:VCG

Në disa rajone në konflikt në Afrikë, një kontinent me shumë burime natyrore dhe një potencial të madh zhvillimi, vijon në një masë të madhe shfrytëzimi i paligjshëm dhe trafikimi i burimeve natyrore, duke sjellë përfitime për grupet e armatosura dhe forcat terroriste dhe duke nxitur e ndihmuar zhvillimin e konflikteve, theksoi zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara Dai Bing.

"Forcimi i kapaciteteve të qeverisjes mund të ngushtojë hapësirën për trafikimin për përfitime të paligjshme," tha Dai në debatin e hapur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me temë: "Paqja dhe siguria në Afrikë: Forcimi i luftës kundër financimit të grupeve të armatosura dhe terroristëve nëpërmjet trafikimit të paligjshëm të burimeve natyrore."

Bashkësia ndërkombëtare duhet të japë mbështetje të plotë për rolin udhëheqës të qeverive afrikane në menaxhimin e burimeve dhe të ndihmojnë qeveritë në vendet e prekura nga konfliktet të përmirësojnë kapacitetet në planifikimin industrial, mbikëqyrjen financiare dhe vendosjen e sigurisë, për të kthyer epërsitë e tyre në burime në mundësi për zhvillim, tha ai.

I dërguari theksoi se grupet e armatosura dhe forcat terroriste kanë prirje të lulëzojnë në rajonet e pazhvilluara, dhe përfshirja e popullsisë vendore në trafikun e paligjshëm shpesh shkaktohet nga varfëria, papunësia dhe shqetësimet e tjera për jetesën.

Foto:VCG

Foto:VCG

"Kjo gjendje është përkeqësuar nga papërshtatshmëria e madhe e zhvillimit ndërkombëtar dhe e ndihmës humanitare për Afrikën," vuri në dukje ai.

Kina shpreson se bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht vendet e zhvilluara, do të mbajë premtimet e saj, do të shtojë përpjekjet për ta ndihmuar Afrikën të çrrënjosë varfërinë, të garantojë sigurinë ushqimore, të përshpejtojë zhvillimin e infrastrukturës e të nxisë arsimin dhe punësimin, duke ofruar më tepër ndihmë thelbësore për zhvillimin, tha ai.

Dai bëri thirrje gjithashtu për krijimin e një sistemi më të drejtë dhe më të barabartë global të  vlerës së burimeve, duke thënë se rendi i padrejtë dhe i pabarabartë ekonomik ndërkombëtar i ka vendosur prej kohësh vendet afrikane në fund të zinxhirit industrial global.

Bashkësia ndërkombëtare duhet të mbështesë përpjekjet e Afrikës për të marrë një vlerë të shtuar më të madhe nga burimet e veta natyrore dhe për t'u ngritur në zinxhirin global të vlerës.  Vendet përkatëse duhet të heqin sanksionet e njëanshme për të pakësuar ndikimin negativ mbi shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe krijimin e të ardhurave prej eksportit në Afrikë, tha ai.