OKB, sesioni i vjeshtës, një ngjarje me peshë globale
2022-10-07 11:54:34

Një ngjarje tepër e rëndësishme u shënua në mes të shtatorit, një ngjarje me një peshë globale  ishte sesioni i 77-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Nëse i referohemi aktualitetit ndërkombëtar, nga njëra anë, nuk ka mbaruar ende pandemia e COVID-19, janë shtuar rreziqet për recesionin e ekonomisë botërore dhe konflikti Rusi-Ukrainë e ka acaruar më tej krizën energjetike dhe atë ushqimore.

Për këtë sesion të rëndësishëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së flet për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) analisti Aleksandër Çipa.

CMG: Agjenda e ngarkuar e sesionit të 77-të të Asamblenë së Përgjithshme të OKB-së u ndal në krizën në Ukrainë, rrezikun për recesion të ekonomisë globale, situatën e vështirë energjetike dhe ushqimore. Komenti juaj për këtë agjendë

Aleksandër Çipa: Në këtë edicion të mbledhjes periodike të OKB-së  u trajtuan çeshtjet më të mprehta me të cilat angazhohet sot jo vetëm opinioni shtetëror  në hapësirën ndërkombëtare, por krejt diplomacia dhe raportet mes aktorëve gjeopolitikë. Në këtë sesion u prekën çështjet më të mprehta, të cilat tashmë e kanë sjellë situatën në një moment kyç, i cili përcakton një zhvillim që ka të bëjë  jo vetëm me tronditjen e rendit global, por në mënyrë të veçantë me qasjen që ndajnë aktorët më të rëndësishëm dhe më potencialë të vendimmarrjes dhe ndikimit gjeopolitik.

Për herë të pare pas gati 3 vitesh përfaqësimi i Kinës përmes ministrit të jashtëm njëherësh këshilltar i shtetit Wang Yi  ishte një kontribut i pohimit në mënyrë të drejtpërdrejtë  dhe në sy  të të gjithë përfaqësuesve institucionalë të shteteve ndërkombëtare,  për çështje ndërkombëtare jo vetëm ato që kanë të bëjnë me konfliktin Rusi-Ukrainë, apo krizën e shkaktuar prej këtij konflikti në të ashtuquajturin zinxhir i furnizimeve, por dhe për çështje që kanë të bëjnë me rendin ndërkombëtar me cenimin e disa aspekteve që kanë të bëjnë me futjen e raporteve gjeopolitike në dilema të mëdha.

Komunikimet dypalëshe janë gjithashtu një pjesë e rëndësishme e kontributit komunikues midis shteteve dhe përfaqësuesve të lartë shtetërorë, që u realizuan në kuadër të sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

CMG: Një nga temat e nxehta të këtij sesioni ka qenë dhe konflikti Rusi-Ukrainë. Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së  ka patur një debat të ashpër mbi krizën në Ukrainë midis përfaqësuesit rus dhe atij amerikan. Cili është roli i OKB-së  dhe në mënyrë të posaçme i Asamblesë së Përgjithshme të saj në zgjidhjen e konflikteve në përgjithësi dhe të këtij konflikti në veçanti?

 Aleksandër Çipa: Kriza e raporteve ndërkombëtare dhe gjeopolitike “de facto” është dhe një krizë e autoritetit të Kombeve të Bashkuara. Kjo nuk është e pohuar vetëm nga aktorët por kryesisht edhe nga interpretë dhe vëzhgues jetëgjatë të zhvillimeve në përfaqësimin ndërkombëtar  në nivelet e larta të institucionalizmit botëror, siç është OKB-ja.

Ky diskutim u cek në diskutimet që mbajtën përfaqësues të ndryshëm të shteteve për gjithë harkun kohor të zhvillimit të sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në të njëjtën kohë shumë prej artikuluesve përcollën shqetësimin e rikompozimit të strukturës funksionale të Kombeve të Bashkuara. Një pjesë e tyre bënë apele serioze për rikthimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare, duke kërkuar rivendikimin e rendit ndërkombëtar, ruajtjen e parimeve që kanë të bëjnë me legjislacionin ndërkombëtar, të integritetit, sovranitetit dhe aspekte të së drejtës vetëvendosëse dhe të drejtës së përfaqësimit integral.

Në këtë suazë brenda ligjërimeve që u mbajtën brenda agjendës së sesionit të 77-të  autoritetet e larta diplomatike të fuqive të mëdha përcollën qëndrimet e tyre dhe i ndanë ato si të tilla me një lloj sinqeriteti publik. Kam parasysh këtu takimet që u realizuan dhe midis këshilltarit të shtetit të Kinës Wang Yi  me sekretarin amerikan të shtetit Anthony Blinken, apo me përfaqësuesin e BE-së Joseph Borrel. Të gjitha këto shpalosën atë antologji qëndrimesh që ndajnë përfaqësues të ndryshëm të diplomacisë  shtetërore në të gjithë harkun e orientimit dhe nevojës për riorientim të diplomacisë ndërkombëtare.

CMG: Ndërkohë Shqipëria është aktualisht një vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe u përfaqësua në këtë sesion të Asamblesë së Përgjithshme me kryeministrin Edi Rama dhe  ministren e jashtme Olta Xhaçka. Cili ishte mesazhi që përcolli Tirana zyrtare në këtë sesion?

Aleksandër Çipa: Shqipëria ka një qëndrim të përcaktuar në raport e disa çeshtje që ndajnë mosmarrëveshje ndërkombëtare. Në këtë pikëpamje ajo ka një përcaktim vetjak kryesisht për konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës dhe raportin e qëndrimit të Rusisë me Perëndimin. Në këtë pikë nuk ka dilema, por ka një përcaktueshmëri, e cila është evidente.

Ndërsa në planin e orientimit të diplomacisë, Shqipëria u bë pjesë e apelit për paqe, për shuarjen e konflikteve, për parandalimin e akteve dhe rreziqeve bërthamore dhe në mënyrë të veçantë për zgjidhjen e dy prej krizave më eminente me të cilat përballet aktualisht njerëzimi. Këtu e kam fjalën për krizën energjetike dhe impaktet që ajo sjell në ekonominë globale dhe ato kombëtare. E dyta ka të bëjë me mjedisin dhe në mënyrë të veçantë me rrisqet që vijnë prej shembjes së burimit të furnizimeve me drithëra, por dhe prodhimin energjetik në përgjithësi.

CMG:  Në këtë sesion të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Wang Yi, këshilltar i Shtetit të Kinës dhe njëherësh ministër i Jashtëm ka patur një agjendë shumë të ngjeshur. Ai është ndalur në fjalën e tij në nismat e presidentit Xi Jinping për sigurinë globale dhe për zhvillimin global. Komenti juaj për këtë agjendë të kreut të diplomacisë kineze në këtë sesion

Aleksandër Çipa: Ajo që e konsideroj si një qëndrim të lëvdueshëm edhe nga analiza gjeopolitike dhe diplomatike ndërkombëtare për artikulimin që pati përfaqësuesi i Kinës në sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së kishte të bënte me apelin për një dialog të menjëhershëm midis palëve të konfliktit në Ukrainë.

Ky është një apel që i artikuluar nga pozita e Kinës nënkupton reagimin e menjëhershëm për të mos lënë përshkallëzimin e mëtejshëm, viktimizimin e njerëzve të pafajshëm dhe të pasojave që vijnë prej një konflikti të tillë. Madje  ministri i jashtëm kinez sugjeroi në apelin e vet që ky dialog nëse vihet në funksion menjëherë parandalon edhe përshkallëzimet e tjera dhe duke patur parasysh rrezikun bërthamor.

Së dyti, investimi që u bë prej përfaqësuesit të Kinës në sesionin e OKB-së përmes kontakteve dypalëshe kryesisht me ministrin e jashtëm të Ukrainës dhe përfaqësues të tjerë të diplomacisë europiane ishin në funksion të dy kërkesave zyrtare të cilat janë artikuluar dhe në mënyrë të përhershme nga Kina. Këtu e kam fjalën për neutralitetin e Europës që është një kërkesë që ka të bëjë kryesisht me kontekstin e krizës në Ukrainë dhe në raport me krizën energjetike me të cilën përballet sot bota. Ndërsa në planin bilateral mendoj që për here të pare u realizuan biseda që kishin të bënin jo vetëm me interesin si reciprocitet midis dy shteteve, por me interesimin për tejkalimin e krizave dhe diferencave të krijuara kaq thellësisht në raportet dhe të drejtën ndërkombëtare.

Kjo mendoj se është një qasje pozitive për të cilën shumë prej shteteve, përfshirë dhe përfaqësues evropianë ndajnë një qëndrim pozitiv, duke e vlerësuar si një sjellje të konstrutivitetit shtetëror.

Intervistoi Eda Merepeza