Ministria e Jashtme turke: Kundërshtimi ndaj marrëveshjes energjetike Turqi-Libi nuk ka asnjë rëndësi
2022-10-06 11:59:38

Ministri i Jashtem turk (Foto Anadolu Agency)

Ministri i Jashtem turk (Foto Anadolu Agency)

Kundërshtimi i Greqisë dhe Bashkimit Evropian ndaj marrëveshjeve të reja ekonomike dhe detare midis Turqisë dhe Libisë nuk ka asnjë rëndësi apo vlerë për Ankaranë zyrtare, bëri të ditur Ministria e Jashtme turke, citon “Xinhua”.  

Memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar të hënën midis Turqisë dhe Qeverisë së Unitetit Kombëtar të Libisë parashikon zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh shkencor, teknik, teknologjik, ligjor, administrativ dhe tregtar në tokë dhe det në fushën e hidrokarbureve, bëri të ditur pala turke.  

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Tanju Bilgiç, bëri të ditur përmes një deklarate, se kundërshtimi i Greqisë dhe BE-së është kundër ligjit ndërkombëtar dhe parimeve bazë të OKB-së.  

Bilgiç i kërkoi gjithashtu BE-së mos ta tejkalojë autoritetin e saj dhe të respektojë sovranitetin dhe barazinë e shteteve në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e OKB-së.  

Një delegacion i nivelit të lartë turk bëri një vizitë në Tripoli të hënën dhe nënshkroi një memorandum mirëkuptimi që lejon Turqinë të eksplorojë fushat e naftës dhe gazit në disa zona të Mesdheut lindor, mbi të cilat Greqia pretendon se ka sovranitet.  

Ministria e Jashtme greke bëri të ditur të hënën se Greqia synon të mbrojë të drejtat e saj sovrane me të gjitha mjetet legjitime. (Elona)