Sesioni i 77-të i Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-së, një ngjarje e rëndësishme e aktualitetit ndërkombëtar
2022-10-06 10:20:44

Intervistë me drejtoren ekzekutive të Institutit të Studimeve të Globalizimit, Marsela Musabelliu

CMG: Një ngjarje me rëndësi të madhe në aktualitetin botëror startimi më 13 shtator i sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në një situatë të trazuar globale, mes ndryshimesh të mëdha gjeoplitke dhe situate ndërkombëtare tejet të trazuar. Çfarë u pa dhe çfare u tha në këtë platformë dhe cilat ishin pikat e rëndesishme të trajtuara?

Dr.shk.Marsela Musabelliu: Asambleja e Përgjithëshme e OKB-së në çdo vit të mbledhjes së saj është shumë e rëndësishme nga pikëpamja gjeopolitike, në radhë të parë sepse mbledh liderët dhe ministrat e jashtëm të gati të gjitha vendeve anëtare të OKB-së. Është një platformë diskutimi globale ku ministrat e jashtëm dhe ekspertë të tjerë shpalosin idetë e tyre dhe qëndrimet e vendeve të tyre në lidhje me një ose shumë çeshtje.

Sesioni i 77-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së u hap  këtë vit me temën “Një moment vendimtar: zgjidhje transformuese për sfidat e ndërlidhura”. Duket qartë se tema buron nga pranimi i faktit se bota është në një moment kritik në historinë e Kombeve të Bashkuara për shkak të krizave komplekse dhe të ndërlidhura, duke përfshirë pandeminë, konfliktin në Ukrainë, sfidat humanitare të natyrës së paprecedentë, një pikë kthese në ndryshimet klimatike si dhe shqetësimet në rritje për kërcënimet ndaj ekonomisë globale. Kjo platformë u jep mundësi liderëve botërorë që jo vetëm të shpalosin idetë e tyre, por dhe të diskutojnë se çfarë mund të bëhet për të shkuar më tej dhe për të zgjidhur këto çeshtje që kanë kapluar botën.

CMG: Këshilltari i Shtetit, njëkohësisht, Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi për disa ditë rresht mori pjesë në forume, takime, mbledhje dhe aktivitete të shumta, në një axhendë tejet të ngjeshur dhe intensive. Si e shihni prezencën e tij në OKB dhe cilat ishin mesazhet më të rëndësishme të dhëna?

Dr. shk. Marsela Musabelliu: Kjo është një vizitë e rëndësishme pasi një lider kinez, në këtë rast ministri i jashtëm i Kinës ka 3 vite që nuk merr pjesë në këto aktivitete të OKB-së për shkak të shtrëngimeve pandemike dhe mundësive të vogla për udhëtime.

Kjo vizitë ishte shumë e ngjeshur sepse ishte më e gjatë se një javë gjatë së cilës këshilltari i shtetit i Kinës nuk bëri vetëm takime dypalëshe me liderë ose me homologët e tij, por ishte i pranishëm në media, në takime me  think-tank të ndryshëm në SHBA,me rrethet e biznesit që janë të interesuar për mbarëvajtjen e marrëdhënieve SHBA-Kinë, por edhe nga vende të tjera të botës.

Mjafton të shikojmë se kë takoi ministri i jashtë kinez, që nga  Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, ish-sekretarin amerikan të Shtetit Henry Kissinger, përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Josep Borrell, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, Sekretarin e Shtetit të ShBA-së Antony Blinken, me ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, etj.

Ministri Wang Yi duke u takuar me ta jo vetëm në platforma bilaterale por dhe multilaterale bëri të qartë gjithçka që nga autonomia strategjike që i nevojitet Evropës; konflikti në Ukrainë, duke paraqitur qasjet e Kinës për ngjarjet aktuale.

foto/VCG

foto/VCG

CMG: Për sa i përket fjalimit të  kryediplomatit kinez Wang Yi në këtë sesion, cilat ishin pikat kryesore të propozuara?

Dr. shk. Marsela Musabelliu: Ministri i jashtëm Wang Yi duke mbajtur fjalën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, vuri theksin në 6 drejtime. Për të bota duhet të zgjedhë paqen dhe jo konfliktin, zhvillimin dhe dhënien fund të varfërisë, hapjen dhe jo mbylljen, bashkëpunimin dhe jo konfrontimin, unitetin dhe jo përçarjen, drejtësinë dhe jo bullizimin. Me këto 6 pika ne shohim se ku orientohet Kina për t’i dhënë zgjidhje problemeve aktuale. Por jo vetëm kaq.

Deklaratat e tij kanë shpalosur qartë se si Kina po jep kontributin e saj të vazhdueshëm për çështjet madhore me impakt global. Kina është në kërkim të një marrëdhënieje të qëndrueshme, të arsyeshme, funksionale me perëndimin dhe me çdo cep të botës.

CMG: Fokusohemi te takimet që pati ministri i jashtëm kinez në  kuadër të Asamblesë së Përgjithëshme.

Dr, shk. Marsela Musabelliu: Përveç takimeve me homologët përkatës në të cilat vihet në pah politika zyrtare e vendeve pjesmarrëse në këto takime si Kinë-SHBA, Kinë-Rusi, Kinë-Bashkimi Europian e të tjera. Do të veçoja takimin që ministri Wang Yi pati me një think tank në SHBA  që studion çeshtjet e Azisë. Ai mbajti një fjalim prej gati 5 mijë fjalësh dhe shtjelloi në detaj ku qëndron marrëdhënia  Kinë-ShBA.

CMG: Ky është një argument i rëndësishëm me të cilin janë marrë jo vetëm mediet e të dy vendeve, por dhe ato ndërkombëtare.

Dr.shk. Marsela Musabelliu: Ministri Wang Yi u shpreh aty duke iu referuar problemeve midis Kinës dhe SHBA-së lidhur me marrëdhëniet tregtare sa i përket perceptimit. Ai vuri  theksin në idenë se ka perceptime të gabuara për Kinën dhe si rrjedhojë këto perceptime të gabuara çojnë në ngërçe të bisedimeve dypalëshe. Është dhe diçka tjetër, të cilën dua ta theksoj sepse u bë të nesërmen lajtmotivi i mediave amerikane se “Kina nuk do të bëhet SHBA dhe SHBA-ja nuk do të mundet ta modelojë Kinën sipas modelit të saj”.

Me këtë deklaratë ministri i jashtëm kinez tha se secili popull ka drejtimin e tij dhe rrugën e tij drejt zhvillimit dhe prosperitetit dhe kultura, sistemi dhe mënyrat zhvillimore të arritjeve janë të ndryshme nga njeri vend në tjetrin.

Përveç marrëdhënieve Kinë-SHBA, atij iu bë një pyetje që është modeluar ndër muaj, se ku qëndron Kina në konfliktin e tanishëm Rusi-Ukrainë. Këtu do të veçoja fjalën e ministrit të jashtëm Wang Yi, i cili tha se Kina nuk do të rrijë duarkryq dhe as nuk do t’i hedhë benzinë zjarrit, por do të vazhdojë të luajë rolin e duhur në mënyrën e vet.

Kina ka mekanizmat dhe rrugën e saj si dhe drejtimin e vet lidhur me këtë konflikt.

CMG: Si u perceptua nga pjesa tjetër e botës kjo  agjendë e ngjeshur e Ministrit të Jashtëm të Kinës dhe si i reflektoi ai qendrimi dhe objektivat e vendit të tij në këtë platformë të një rëndësie të madhe ndërkombëtare, siç është Asambleja e Përgjithëshme e OKB-së ?

Dr. shk. Marsela Musabelliu: Ministri Wang Yi jo vetëm nga pjesa perëndimore e botës, por edhe gjatë vizitës së tij në Shqipëri shfaqet tejet bindës në komunikimin me një audiencë të huaj dhe në fjalët e tij duket qartë se sa seriozisht i merr Kina çështje të caktuara.  Gjatë viteve, dhe më tepër gjatë muajve të fundit, duket sikur pozicioni i Kinës nuk është absorbuar saktësisht ose objektivisht sidomos nga Perëndimi. Mesazhet që dalin nga Pekini transformohen, deshifrohen sipas interesave politike lokale, shpesh shtrembërohen dhe shumë hërë anashkalohen.

Ministri i jashtëm Wang u shpreh hapur për çdo çeshtje se ku qëndrin Kina që të mos ketë keqkuptime dhe më tej çdo çeshtjeje iu dha një përgjigje e caktuar.

Ai e bëri shumë të qartë se qëndrimi dhe objektivat e politikës së jashtme kineze nuk kanë ndryshuar. Vijat e kuqe të politikës së jashtme kineze, nëse i referohemi këtu çeshtjes së Tajvanit nuk kanë ndryshuar. Duhet parë se si pjesa tjetër e percepton këtë qëndrim të Kinës dhe si do të reagojë ndaj këtij qëndrimi.

Intervistoi Eda Merepeza