BE mbështet akademinë për rritjen e bimëve mjekësore
2022-10-05 11:53:37

Bimet aromatike (Foto Atsh) - Copy

Bimet aromatike (Foto Atsh) - Copy

“Challengefund”, pjesë e programit të BE-së për inovacionin, që zbatohet në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, ka mundësuar krijimin e një akademie për rritjen e bimëve mjekësore, ku fermerët për herë të parë do të mësojnë njohuri teorike dhe praktike në ambientet e fermës, që garantojnë prodhim sipas standardeve më të mira dhe eksport të sigurt.

“Përmes kësaj akademie, fermerët do të kenë mundësi të mësojnë se çfarë duhet të kultivojnë në tokat e tyre, që të jetë me vlerë”,- deklaroi një prej përfitueseve të këtij programi, e cila ka hapur një biznes familjar në një fshat të Shqipërisë, ku spikat përkushtimi për të prezantuar një model kultivimi të bimëve mjekësore që garanton certifikimet e nevojshme dhe që nuk sjell zhdukjen e këtyre bimëve, bën të ditur “ATSH”. Ajo vlerëson se krijimi i akademisë për rritjen e bimëve mjekësore, është një mundësi e mirë që u vjen në ndihmë fermerëve të këtij sektori, për të mësuar çdo hap në këtë sipërmarrje, që nga mbjellja e deri në tregtimin e tyre.

Sektori i bimëve mjekësore është një nga shtyllat e ekonomisë së Shqipërisë dhe ky sektor vijon të jetë në rritje të vazhdueshme vitet e fundit duke pasur parasysh kërkesën e lartë në tregun ndërkombëtar.

Të ardhurat që gjenerohen nga ky sektor, përfshirë edhe angazhimin në punë të të rinjve në zonat rurale janë të konsiderueshme. (Elona)