Një e katërta e sipërfaqes së re pyjore në botë vjen nga Kina
2022-10-03 10:48:26

Foto: VCG

Kina renditet e para globalisht në fushën e pyjeve të mbjella dhe rritjes së mbulimit të pyjeve, duke kontribuar një të katërtën e sipërfaqes së re pyjore në botë në dekadën e fundit, njofton “Xinhua”.

Sekreti pas rritjes së shpejtë të peizazhit të gjelbër të Kinës qëndron në fushatën e saj të gjelbërimit në shkallë të gjerë, duke përfshirë ruajtjen e ekosistemeve ekzistuese të gjelbra, shtimin e pyjeve, kullotave dhe ligatinave të reja, si dhe luftimin e shkretëtirëzimit.

Sipas Administratës Kombëtare të Pyjeve dhe Kullotave, sipërfaqja akumuluese e pyllëzimit arriti në 960 milionë mu (64 milionë hektarë) gjatë 10 viteve të fundit, ndërsa 165 milionë mu ligatina u përmirësuan dhe më shumë se 12 milionë mu ligatina u shtuan ose u restauruan.

Nga programet e mbjelljes së pemëve deri te plantacioni më i madh artificial në botë, ferma e mekanizuar e pyjeve Saihanba, Kina është përpjekur të ndërtojë një mur të madh të gjelbër solid për të mbrojtur mjedisin ekologjik.

Kina caktoi 12 marsin si Ditën Kombëtare të Mbjelljes së Pemëve në vitin 1979 dhe qytetarët kinezë mbollën vullnetarisht rreth 78.1 miliardë pemë nga viti 1982 deri në 2021-shit në të gjithë vendin e gjerë, treguan të dhënat zyrtare.

Deri në fund të majit, më shumë se 550 milionë njerëz kishin marrë pjesë në projektin për të mbjellë mbi 200 milionë pemë, duke reduktuar shkarkimin ekuivalent me 12 milionë tonë dyoksid karboni.

Vitet e fundit, Kina ka ndërtuar një sistem zonash të mbrojtura me parqet kombëtare si shtyllë, të mbështetur nga rezervat natyrore dhe të plotësuar nga parqet natyrore.

Pyjet e dendura janë bërë gjithashtu një burim i konsiderueshëm të ardhurash për vendasit. Sektorët e gjelbërimit sjellin mbi 600 milionë juanë (rreth 84.39 milionë dollarë amerikanë) të ardhura në vit, treguan të dhënat.

Parqet pyjore janë atraksione të njohura të turizmit dhe janë bërë një shtyllë e tretë e industrisë pyjore. Gjatë periudhës së Planit të 13-të Pesëvjeçar (2016-2020), pyjet e Kinës tërhoqën 7.5 miliardë vizitorë, duke krijuar një vlerë të përgjithshme të prodhimit social prej 6.8 trilion juanë.

Duke parë nga e ardhmja, Kina do të vazhdojë të hapë një shteg eko-miqësor për zhvillimin e gjelbër në botë, me synimin për të rritur mbulimin pyjor në 26 për qind deri në vitin 2035 dhe për t'u bërë një vend lider në pylltari deri në vitin 2050. (Fatosi)