Agjencia Daneze e Energjisë: Presioni në gazsjellësit "Nord Stream" është i qëndrueshëm
2022-10-03 12:23:36

Foto: VCG

Agjensia Daneze e Energjisë (DEA) njoftoi të dielën se presioni është tani i qëndrueshëm në dy gazsjellësit "Nord Stream 1" e "Nord Stream 2" dhe rrjedhjet e gazit kanë ndaluar.

Po të dielën zv.kryeministri rus Aleksander Novak bëri të ditur se ishte teknikisht e mundur të rregullohej infrastruktura e dëmtuar në det e gazsjellësve "Nord Stream", njoftoi agjencia e lajmeve TASS.

"Nuk ka pasur kurrë incidente të tilla. Natyrisht, ka mundësi teknike për të rregulluar infrastrukturën, por duhen kohë dhe fonde të përshtatshme," theksoi ai.

Të shtunën, DEA shkroi në "Twitter" se ishte informuar nga kompania që vë në funksionim "Nord Stream 2" se duket se është stabilizuar presioni në këtë gazsjellës, që shkon nga Rusia në Gjermani.

"Kjo tregon se rrjedhja e gazit në këtë tubacion ka ndaluar," theksoi DEA.

Ulrich Lissek, zëdhënës i operatorit të "Nord Stream 2", tha që nga ky tubacion nuk po rrjedh më gaz pas një rrjedhjeje këtë javë të miliona tonëve metan në detin Baltik.

"Kjo mund të tregojë dy gjëra: ose tubacioni është plotësisht i zbrazët, ose presioni i gazit në të dhe i ujit jashtë kanë arritur një ekuilibër," tha zëdhënësi.

Gjithsej katër rrjedhje u zbuluan javën e kaluar në gazsjellësit "Nord Stream 1" dhe "Nord Stream 2" në detin Baltik pranë Danimarkës dhe Suedisë, duke sjellë një rënie të konsiderueshme të presionit të gazit.