OBSH: Shpërthimet e kolerës po rriten në mbarë botën, shkalla e vdekshmërisë në rritje
2022-10-02 13:25:38

Foto: VCG

Rastet e kolerës janë rritur këtë vit, veçanërisht në vendet e varfërisë dhe konfliktit, me shpërthime të raportuara në 26 vende dhe shkallën e vdekshmërisë në rritje të ndjeshme, deklaroi një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, citon “RTSH”.

Në një vit të zakonshëm, më pak se 20 vende raportojnë shpërthime të sëmundjes, e cila përhapet nga ushqimi ose uji i kontaminuar.

“Pas viteve të numrave në rënie, pati rritje shumë shqetësuese të shpërthimeve të kolerës në të gjithë globin gjatë vitit të kaluar”,- tha Philippe Barboza, drejtuesi i ekipit të OBSH-së për Kolerën, në një konferencë për shtyp në Gjenevë.

Shkalla mesatare e vdekshmërisë deri më tani këtë vit është pothuajse trefishuar në krahasim me mesataren pesëvjeçare dhe aktualisht është rreth 3% në Afrikë, shtoi ai.

Ndërsa shumica e të prekurve do të kenë simptoma të lehta ose aspak, kolera mund të vrasë brenda disa orësh nëse nuk trajtohet.

Një shpërthim kolere në Siri ka vrarë tashmë të paktën 33 njerëz, duke paraqitur një rrezik në vijat e para të luftës 11-vjeçare të vendit dhe duke nxitur frikën në kampet e mbushura me njerëz për të zhvendosurit.

Barboza shprehu gjithashtu shqetësimin për shpërthimet në Bririn e Afrikës dhe pjesë të Azisë, përfshirë Pakistanin, ku disa rajone janë të përmbytura.

Ai tha se vetëm disa milionë doza vaksinash ishin në dispozicion për përdorim para fundit të këtij viti, duke përmendur mungesën e prodhuesve midis problemeve.

OBSH-ja mban një rezervë emergjente të vaksinave të kolerës.

“Ne nuk kemi mjaftueshëm vaksinë për t'iu përgjigjur të dy shpërthimeve akute dhe aq më pak për të qenë në gjendje të zbatojmë fushata vaksinimi parandaluese që mund të jenë një mënyrë për të zvogëluar rrezikun për shumë vende”,- tha ai. (Irma)