Ibrahimaj: Rritja e pagave, pjesë e paketës së dytë të rezistencës sociale
2022-10-02 11:16:24

(Foto A2)

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi se rritja e pagave për disa kategori, është pjesë e paketës së dytë të rezistencës sociale.

Në një intervistë televizive, Ibrahimaj u shpreh se ky vendim u mor pasi kriza ekonomike pritet që të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.

“Miratimi i rritjes së pagave nga qeveria është pjesë e paketës së rezistencës numër 2, që qeveria ka ndërmarrë në këtë vjeshtë. Duke parë situatën ekonomike, krizën e cila me shumë gjasa do të vazhdojë edhe për vitin e ardhshëm, vendosëm të marrim këto masa, rritje pagash, indeksim për herë të dytë të pensioneve brenda një viti, që është hera e parë që ndodh, rritje të ndihmës ekonomike, rritje për herë të dytë të pagës minimale, etj.”, u shpreh ministrja citon “ATSH”.

Ibrahimaj theksoi se qeveria shqiptare ka mbështetur buxhetet familjare dhe ato të biznesit të vogël e të mesëm edhe përmes subvencionit të çmimit të energjisë elektrike.

Sipas saj, viti 2023 ka pasiguri të larta që lidhen jo me situatën ekonomike të Shqipërisë, por të vendeve të rajonit, partnerëve tregtarë, që sipas saj, në mënyrë të pashmangshme ndikon edhe në ekonominë e vendit. (Irma)