Rama: Grumbullojmë 90% të mbetjeve në territorin shqiptar
2022-10-01 11:42:00

Foto:ATSH

Kryeministri Edi Rama deklaroi në Forumin e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve dhe Ekonomisë Qarkulluese se para vitit 2013, 50% e plehrave mbeteshin rrugëve dhe ktheheshin në lëndë toksike mbi tokë, ndërsa sot grumbullohet 90% e tyre.

Gjatë aktivitetit të organizuar për bilancin e punëve të një viti për menaxhimin e mbetjeve, përcjellë përmes një video të postuar në “Facebook”, shefi i qeverisë shqiptare u shpreh se realisht bazat e vendosura janë pozitive, por gjithsesi është ende nevoja për të ecur shumë më shpejt përpara.

Ai solli ndërmend se shumë vite më parë banorët e disa qyteteve në vend përballeshin çdo ditë me malet me plehra, ndërsa sot situata është krejt ndryshe dhe kjo gjë është e dallueshme.

Po ashtu, ai solli në vëmendje situatën në Durrës, me fushën e mbushur me vargmale plehrash në natyrë në Porto Romano, që sot është kthyer në zonë rekreative dhe një nga parqet më të mëdha urbane të Shqipërisë. (Irma)