BE-ja çon Maltën në gjykatë për “pasaportat e arta”
2022-10-01 11:48:57

Foto :VCG

Komisioni Evropian çoi zyrtarisht Maltën në gjykatën më të lartë të BE-së për skemën e saj të “pasaportave të arta” që u jep nënshtetësinë malteze qytetarëve të pasur të vendeve të treta në këmbim të parave dhe investimeve.

KE-ja bëri të ditur se e konsideron skemën një shkelje të ligjit të BE-së dhe i ka bërë thirrje prej kohësh Maltës, një shtet anëtar që nga viti 2003, të tërheqë skemën për shkak të frikës së pastrimit të parave dhe shtetësisë që u jepet individëve me rrezik të lartë, bën të ditur “RTSH”.

“Duke ofruar shtetësi në këmbim të pagesave ose investimeve të paracaktuara, pa një lidhje të vërtetë me shtetin anëtar në fjalë, Malta shkel ligjin e BE-së”,- shkroi në “Twitter” eurokomisioneri për Çështjet e Drejtësisë, Didier Reynders, duke theksuar se vlerat e Bashkimit Evropian nuk janë në shitje.

Qeveria e Maltës u përgjigj me një deklaratë duke mohuar se skema shkel ligjin e BE-së dhe përsëriti se politika e saj e shtetësisë ishte rreptësisht një çështje e kompetencës kombëtare.

“Shkuarja në gjykatë i jep Maltës mundësinë të vazhdojë të kundërshtojë akuzat e përmendura dhe të lërë Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJED) të zgjidhë çështjen”,- thuhet në deklaratën e qeverisë malteze.

Nëse Malta humbet çështjen e saj në GJED, ajo duhet të respektojë vendimin e gjykatës ose të përballet me gjoba të mëdha. (Irma)