Kina u bën thirrje kombeve të mbështesin paqen e progresin duke u shprehur e prerë ndaj pengimit të kauzës së ribashkimit të vendit
2022-09-30 09:43:21


Ndër mesazhet jetike qe u transmetoi popujve të botës në sesionin e përvitshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 21 shtator në fjalimin e tij kryesor Këshilltari i Shtetit dhe Ministër i Jashtëm i Republikës Popullore të Kinës Wang Yi spikasin realizmi plot shqetësim për gjendjen aktuale të botës, e cila po përballet me turbullira dhe sfida të paimagjinueshme, që acarohen në katër cepat e rruzullit tokësor, duke rritur rreziqet dhe kërcënimet ndaj njerëzimit, si dhe fryma e shpresës për shpëtim kur në fakt tema e kohërave për paqe dhe zhvillim nuk ka ndryshuar dhe popujt e të gjitha vendeve aspirojnë në rradhë të parë kapërcimin e sfidave aktuale dhe një jetë më të mirë në siguri mbarëbotërore.

Mesazhet kineze ishin në sintoni me pjesën dërmuese të delegacioneve që përfaqësonin 193 vendet anëtare të këtij organizmi më të madh dhe autoritar ndërkombëtar të ngritur mbi gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore më 1945 me misionin e përbashkët të zhvillimit harmonik në bashkëpunim të të gjithë popujve të pasur dhe të varfër, të ruajtjes së paqes dhe sigurisë, dhe shmangjes së konflikteve të çdo lloji me synimin e vetëm: të shpëtohet bota dhe njerëzimi!   

“Jemi në një kohë të mbushur me sfida. COVID-19 vazhdon të rishfaqet, siguria globale përballet me pasiguri, rimëkëmbja ekonomike është e brishtë dhe e paqëndrueshme, dhe rreziqe e kriza të tjera po shfaqen”, tha shefi i diplomacisë kineze Wang Yi në fjalimin e tij në debatin e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Megjithatë, mes kësaj “faze të re turbulence dhe transformimi” ka arsye për shpresë, tha Wang, duke vënë në dukje multipolaritetin në rritje të botës, thellimin e globalizimit ekonomik dhe rritjen e informatizimit social dhe diversifikimit kulturor që po zhvillohen në thellësi dhe vendet janë gjithnjë e më shumë të lidhura dhe të ndërvarura.

Sipas tij, paqja dhe zhvillimi mbeten tendencat themelore të kohës sonë. “Thirrjet e njerëzve për përparim dhe bashkëpunim po bëhen gjithnjë e më të forta. Si duhet t'i përgjigjemi thirrjes së kohës sonë dhe të ndjekim prirjen e historisë për të ndërtuar një komunitet të përbashkët për njerëzimin”? Wang pyeti në mënyrë retorike dhe u përgjigj me fjalët e presidentit kinez Xi Jinping, i cili ka thënë se bota duhet të ngrihet për paqen dhe të kundërshtojë luftën. "Lufta hap vetëm Kutinë e Pandorës... ne duhet t'i trajtojmë ndryshimet me mjete paqësore".

Më tej, Wang bëri thirrje që të ndiqet gjerësisht zhvillimi dhe eliminimi i varfërisë. Sërish, sipas fjalëve të Presidentit Xi,  kryediplomati kinez bëri thirrje që zhvillimi të vendoset në qendër të agjendës ndërkombëtare dhe të ruhet e drejta e të gjitha vendeve për zhvillim. Komuniteti ndërkombëtar duhet të mbetet i hapur dhe gjithëpërfshirës, pasi “hapja është rruga më e sigurt drejt prosperitetit”. Nga ana tjetër ai rikonfirmoi përpjekjet e Kinës, e cila është edhe një ndër 5 anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të ruajtur paqën dhe stabilitetin, duke përfshirë angazhimin e saj ndaj regjimit të mos-përhapjes së armëve bërthamore dhe kontributin për forcat e ruajtjes së paqës të OKB-së.

Republika Popullore e Kinës, e cila feston 73-vjetorin e themelimit të saj, një ngjarje historike qe po festohet edhe në Shqipëri me shumë veprimtari në kuadrin e Javës së Kulturës kineze, i ka shikuar zhvillimet botërore me objektivitet konstruktiv dhe përgjegjshmëri historike për të shmangur ‘më të keqen’, që kërcënon njerëzimin. Si edhe në raste të tjera kryediplomati Wang Yi ishte i drejtpërdrejtë me propozime konkrete, që janë në një linjë vazhdimësie të platformës kineze për ndërtimin bashkërisht të një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin. Janë gjashtë propozimet kineze të qëndrueshme dhe të qarta e në krye është paqja, jo konflikti. “Ne duhet të këmbëngulim në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me mjete paqësore dhe përmes dialogut e konsultimit”, ishte argumentimi i këtij propozimi. Propozimi i dytë, sipas Wang, është zhvillimi për t'i dhënë fund varfërisë. “Ne duhet të insistojmë që zhvillimi të vendoset në qendër të agjendës ndërkombëtare, të lëmë më shumë arritje zhvillimore për të përfituar çdo vend dhe çdo individ”.

Kina është kthyer në kampione të hapjes ndaj botës, çka ka dhënë rezultatet e saj në një kohë rekord në këtë vend të madh me një popullsi prej 1.4 miliard njerëzish duke e kthyer atë në fuqinë e dytë më të madhe ekonomike në botën e sotme, dhe ajo shprehet kundër mbylljes, dhe Wang argumentoi se të gjithë duhet të mbrojnë hapjen dhe gjithëpërfshirjen, të mbështesin sistemin e tregtisë shumëpalëshe me Organizatën Botërore të Tregtisë në thelb dhe të promovojnë ndërtimin e një ekonomie të hapur botërore.

Në vijim Kina ofron bashkëpunimin, jo konfrontimin dhe sipas Wang është e nevojshme të zëvendësohet konflikti me dialogun, shtrëngimi me negocimin, zgjedhja e rezultateve të favorshme, rezistenca së bashku ndaj politikës grupore dhe kundërshtimi i konfrontimit të kampit.

Propozimi i pestë vinte përballë unitetin kundrejt përçarjes. “Ne duhet të braktisim linjat ideologjike dhe të bashkohemi për të promovuar paqen dhe zhvillimin botëror”, tha Wang lidhur me këtë alternativë.

Dhe së fundmi në propozimin e gjashtë Kina vendos drejtësinë, jo ngacmimin, dhe në këtë frymë ofrohet mbrojtja dhe praktikimi në mënyrë aktive i multilateralizmit të vërtetë, promovimi i barazisë se të drejtave, rregullave dhe mundësive për të gjitha vendet dhe ndërtimi i një lloji të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare, që paraqesin respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të favorshëm.

Si në fjalimin kryesor në Asamblenë e Përgjithshme ashtu edhe në takimin me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken në margjinat e selisë së OKB-së në Nju Jork ku morën pjesë në sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme, Ministri i Jashtëm kinez ishte i qartë, i prerë dhe konsekuent lidhur me çështjen e Tajvanit duke deklaruar botërisht se ai rajon ka qenë një pjesë e pandashme e territorit të Kinës që nga kohërat e lashta dhe se politika e saj "Një Kinë" është bërë një normë bazë e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe një konsensus i komunitetit ndërkombëtar.   

Ndërkohë nga tribuna e OKB-së Wang theksoi se Kina do të vazhdojë të punojë për ribashkimin paqësor me sinqeritet dhe se për të realizuar këtë qëllim duhet të luftojë veprimtaritë separatiste me vendosmërinë më të madhe dhe të ndërmarrë hapat më të fuqishme për të kundërshtuar ndërhyrjen e jashtme. “Vetëm kur Kina të ribashkohet plotësisht mund të ketë paqe të qëndrueshme përtej ngushticës së Tajvanit... Çdo lëvizje për të penguar ribashkimin e Kinës do të shtypet nga rrotat e historisë”, tha ai.

Kurse në takimin më kryediplomatin amerikan Blinken shefi i diplomacisë kineze i quajti specifikisht të gabuara veprimet e fundit nga pala amerikane në lidhje me çështjen e Tajvanit. Ai i kujtoi Blinkenit se Shtetet e Bashkuara kishin dhënë angazhime të qarta politike ndaj Kinës në lidhje me çështjen e Tajvanit. Ai tha se SHBA-ja duhet t’i kthehet respektimit të tre komunikatave kino-amerikane dhe parimit “një Kinë”, të përsërisin politikën e tyre të “një Kine” dhe të shprehin pa mëdyshje kundërshtimin e tyre të qartë ndaj aktiviteteve separatiste të pavarësisë së Tajvanit në të gjitha format. Wang tha se marrëdhëniet Kinë-SHBA janë në një pikë kritike dhe është e domosdoshme që të dyja palët të punojnë për të ndaluar përkeqësimin e mëtejshëm të lidhjeve dypalëshe dhe për t’i ristalibizuar ato.

Nga ana e tij Blinken e pranoi se marrëdhëniet SHBA-Kinë janë në një situatë të vështirë dhe sipas pikëpamjes së tij kthimi i marrëdhënieve dypalëshe në një rrugë të qëndrueshme është në përputhje me interesat e të dyja palëve. Blinken përsëriti gjithashtu se pala amerikane nuk kërkon një “Luftë të Ftohtë” të re, nuk ka ndryshuar politikën e saj të “një Kine” dhe nuk mbështet pavarësinë e Tajvanit.

Por realiteti i gjërave flet qartë për më e pakta të thuash - hipokrizi amerikane. Edhe për personat më të thjeshtë të apasionuar pas politikës e diplomacisë botërore nuk ka asnjë dyshim se vizita dhe aktivitetet e Nancy Pelosit, lidere në Kongresin Amerikan, në Tajvan, në çfardo forme dhe për çfardo arsyeje, kanë qënë një provokim i drejtëpërdrejtë politik ndaj Kinës. Askush nuk e vë në dyshim se politikania e lartë veterane e politikës anti-kineze të qarqeve të caktuara në SHBA nuk shkoi atje për ‘shëtitje dëfrimi’, por për të nxitur forcat separatiste lokale kundër Kinës. E ky nuk është një rast i vetmuar; Uashingtoni zyrtar ka vazhduar të provokojë, sikurse ka marrë edhe përgjigjet e duhura nga Kina për të cilën vizita e Pelosit është një shkelje serioze e parimit të një Kine dhe dispozitave të tre komunikatave të përbashkëta Kinë-SHBA.

Në këtë takim të nivelit më të lartë botëror ishte gjithashtu rasti që Kina të rikonfirmonte angazhimin për të kontribuar në zhvillimin global dhe kuptimplotë është fakti se ajo është partneri kryesor tregtar i më tepër se 130 vendeve dhe rajoneve të botës. Kina, sipas Wang, është motori më i madh i ekonomisë globale dhe rigoroze në zbatimin e Axhendës 2030 të OKB-së pasi ka arritur objektivin e reduktimit të varfërisë 10 vjet përpara afatit.

Si në veprimtari të tjera ndërkombëtare ashtu edhe në takime dypalëshe autoritetet më të larta kineze, dhe në këtë rast shefi i diplomacisë trajtoi çështjen e të drejtave të njeriut duke rikonfirmuar qëndrimin parimor të Kinës në përputhje me dokumentin bazë të OKB-së – Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Në këtë kontekst, ai tha se Kina qëndron e vendosur kundër përpjekjeve për të politizuar të drejtat e njeriut dhe ka punuar për të nxitur zhvillimin e shëndetshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar lidhur me  të.

Duket qartë se karta e shkeljes së të drejtave të njeriut në Kinë dhe përqëndrimi kohët e fundit në paraqitjen e një imazhi tejet të shtrëmbëruar nga SHBA e disa fuqi perendimorë pasuese të tyre të gjëndjes lidhur me këtë aspekt në rajonin e Xinjiangut është konsumuar aq shumë saqë edhe vetë strategët famëkeq të saj e shikojnë se ajo u është djekur në dorë. Propaganda e shpifjeve në këtë aspekt ka humbur çdo interes në sytë e opinionit publik ndërkombëtar përballë realitetit që zhvillohet në këtë rajon në zhvillim progresiv paqësor të Kinës.

Ndërkohë Kina është konsekuente në qëndrimin e saj të vendosur lidhur me ruajtjen e autoritetit të OKB-së, në praktikimin e multilateralizmit të vërtetë dhe në ndihmën e vendeve në zhvillim, gjëndja e të cilave, në fakt, po përkeqësohet akoma më tepër. Qëndrime të tilla kanë gjetur mbështje edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, i cili deklaroi nga selia e OKB-së në takimin me ministrin Wang se vlerësonte Kinën për rolin kyç që luan vazhdimisht në mbështetje të multilateralizmit, promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Ai e rikonfirmoi se partneriteti me Kinën është një shtyllë e rëndësishme për OKB-në dhe multilateralizmin.

U pëlqen apo nuk u pëlqen disa forcave si SHBA, që më parë bënin ligjin në OKB e organizata të tjera ndërkombëtare, ndikimi i Kinës brenda sistemit të Kombeve të Bashkuara është rritur sepse ka zbatuar në mënyrë proaktive të gjitha angazhimet e saj të marra në kuadrin e kësaj organizate. Autoriteti i saj është në rritje në përputhje me statusin e saj të ri si kontribuesja e dytë më e madhe si në buxhetin e rregullt ashtu edhe në buxhetin paqeruajtës, dhe kontribuesja më e madhe me trupa midis anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Prandaj Kina është përshëndetur nga OKB si "një forcë kyçe në operacionet paqeruajtëse të OKB-së". E kjo nuk është pak duke patur parasysh se profili i mëparshëm i Kinës si fuqi e madhe nuk ishte shumë i dukshëm. E konkretisht ajo ka ngritur një forcë gatishmërie paqeruajtëse prej më shumë se 8000 trupash për OKB-në, duke përfshirë 28 njësi në dhjetë kategori.

“Kina do të qëndrojë e vendosur me OKB-në, do ta mbështesë në mënyrë të palëkundur rolin qendror të saj në çështjet ndërkombëtare dhe përpjekjeve për të luajtur një rol më të madh në adresimin e sfidave me të cilat përballet paqja dhe siguria”, Wang iu zotua zyrtarit më të lartë të OKB-së Guterres, i cili nga ana e tij tha se OKB-ja e konsideron zhvillimin si prioritet dhe shpreson të forcojë bashkëpunimin me Kinën mbi çështjet që kanë interes për vendet në zhvillim, si financimi, reagimet ndaj ndryshimeve klimatike, biodiversiteti dhe masat kundër pandemisë. 

Në axhendën e takimeve bilaterale të shefit të diplomacisë kineze dallon edhe takimi me ish-sekretarin amerikan të Shtetit Henri Kisinger, i cili është i mirënjohur si pjesëmarrës në hartimin e Komunikatës së Shangait ndërmjet Kinës e SHBA-së 50 vjet më parë.

Wang Yi deklaroi në takimin me diplomatin veteran amerikan se përparësia më e ngutshme për Kinën dhe SHBA-në është që të trajtojnë siç duhet çështjen e Tajvanit, duke paralajmëruar se menaxhimi i gabuar i këtij problemi do të ketë një ndikim shkatërrues mbi marrëdhëniet dypalëshe. Ai theksoi se aspirata më e madhe e palës kineze është të arrihet ribashkimi paqësor i vendit dhe ajo do të bëjë të gjitha përpjekjet për këtë.

"Megjithatë, duhet parë se sa më të shfrenuara bëhen forcat e 'pavarësisë së Tajvanit', aq më shumë zvogëlohet mundësia e  zgjidhjes paqësore të çështjes së Tajvanit", paralajmëroi Wang.

Për luftën në Ukrainë, ai tha: "Kina mbështet të gjitha përpjekjet që kontribuojnë për zgjidhjen paqësore të krizës ... dhe zgjidhja themelore është adresimi i shqetësimeve legjitime të sigurisë të të gjitha palëve dhe ndërtimi i një arkitekture sigurie të balancuar, efektive dhe të qëndrueshme".

Duke analizuar paraprakisht tematikën e bisedimeve me liderët e BE-së, dhe në mënyrë të veçantë takimin me shefin e diplomacisë të kësaj organizate, Josep Borrell (përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë) vihet re distancim i qartë në qëndrim i Brukselit kundrejt atij të SHBA-së lidhur me marrëdhëniet me Kinën i parë ky qëndrim edhe në kontekstin e zhvillimeve më të fundit në luftën në Ukrainë barra më e rëndë e veshtirësive të së cilës po bie mbi vendet europiane. Nga çdo drejtim që ti shikosh gjërat do të ishte vetëvrasje për BE-në që të ndjek kursin anti-kinez të Luftës së Ftohtë megjithëse ka disa vende, që i qëndrojnë besnikë Uashingtonit në kurriz të interesave të popujve të tyre. Vetë fakti që Kina është partneri më i rëndësishëm tregtar i BE-së është kuptimplotë: Në vitin 2021, BE dhe Kina tregtuan mallra me vlerë 696 miliardë euro (importe dhe eksporte). Kjo përfaqëson 16% të të gjithë tregtisë së mallrave të BE-së. Pjesa e Shteteve të Bashkuara arriti në rreth 15%.

Kina ishte eksportuesi më i madh në botë dhe i dyti sa i përket volumit te importeve në botë më 2020. Më 2021, Kina ishte partneri i tretë më i madh për eksportet e mallrave të BE-së (10.2 %) dhe partneri më i madh për importet e mallrave të BE-së  (22.4 %).

Kina dhe BE-ja si dy forca kryesore në botë duhet të mbajnë përgjegjësitë e veta dhe të ruajnë prirjen e mirë të dialogut e të shkëmbimeve, tha Wang në takimin me Borrell. Të dy palët duhet t'u përmbahen bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta e multilateralizmit dhe të mos e konsiderojnë njëra-tjetrën si kundërshtare, duke mos e dobësuar bashkëpunimin për shkak të konkurrencës.

Nga ana e tij Josep Borrell theksoi se bota e sotme po përjeton një mungesë të rendit, dhe stabiliteti europian po përballon sfida. BE-ja i kushton rëndësi të madhe statusit dhe rolit të Kinës si një fuqi e madhe, e cila është e pazëvendësueshme në përballimin e sfidave globale dhe në ruajtjen e rendit të pasluftës. BE-ja dëshiron të vazhdojë kontaktet strategjike me Kinën, duke shfrytëzuar plotësisht rolin e mekanizmave të dialogut të nivelit të lartë në të gjitha fushat. Brukseli është shumë i shqetësuar për përhapjen e mundshme bërthamore dhe shpreson që Pekini do të ushtrojë ndikimin e vet të rëndësishëm për zgjidhjen e këtij problemi.

Duke folur për situatën në Ukrainë, kreu i diplomacisë kineze u shpreh se tani detyra e parë është armëpushimi. Kina nuk do të rrijë duarkryq dhe as nuk do t'i hedhë benzinë zjarrit, tha ai, por do të vazhdojë të luajë rolin e duhur në mënyrën e vet. Pala kineze i përkrah BE-në dhe vendet kryesore europiane të vazhdojnë ndërmjetësimin, duke bërë të gjitha përpjekjet për të arritur paqen. Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen gjithashtu mendime për problemin e të drejtave të njeriut, duke vënë në dukje që ky problem nuk duhet të politizohet.

Në të njëjtën linjë me Borrell ishte edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg sipas të cilit Kina është një fuqi e rëndësishme globale. NATO-ja nuk e konsideron Kinën si kundërshtare dhe i kushton rëndësi ruajtjes e forcimit të kontakteve me palën kineze. NATO-ja shpreson të diskutojë me Kinën për bashkëpunimin në fushën e kontrollit të armëve, të ndryshimit të klimës etj., për të përballuar më mirë sfidat globale. Vendet anëtare të NATO-s i përmbahen politikës së "një Kine" dhe nuk kanë ndryshuar qëndrimin e tyre mbi problemin e Tajvanit. NATO-ja pret që Kina të luajë një rol të rëndësishëm në përfundimin e luftës në Europë, tha Stoltenberg.

Wang Yi sqaroi qëndrimin e përhershëm të Kinës lidhur me problemin e Ukrainës dhe rolin konstruktiv që ka luajtur në këtë drejtim. Ai u shpreh se duhet të diskutohet për krijimin e një kornize të barabartë, të efektshme dhe të vazhdueshme të sigurisë europiane, për të garantuar sigurinë afatgjatë të Europës.

Vend të veçantë në axhendën e ngjeshur 8-ditore të kryediplomatit kinez në OKB e kishte edhe takimi i tij me ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock duke patur parasysh se Gjermania është ndër shtyllat kryesore të BE-në të gjitha drejtimet e kësaj bashkësie të vendeve europiane. Është për tu përmendur largpamësia e ish- kancelares gjermane Merkel, e cila edhe në momente krizash të nxitura nga Uashingtoni tregonte vetëpërmbajtje në qëndrimet ndaj Kinës, duke vënë mbi të gjitha interesat reciproke midis dy vendeve. 

“Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Gjermanisë 50 vite më parë, të dy vendet kanë kuptuar njëri-tjetrin dhe bashkëpunimi i gjithanshëm ka vazhduar të avancojë, duke sjellë përfitime për të dy popujt”, deklaroi Wang sipas të cilit të dy vendet duhet të planifikojnë zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe për 50 vitet e ardhshme.

Baerbock tha se Gjermania i përmbahet politikës “një Kinë” dhe i kushton rëndësi të madhe mbajtjes së shkëmbimeve dhe bashkëpunimit të nivelit të lartë në fusha të ndryshme, e sipas saj Kina është një forcë e rëndësishme globale.

Wang nënvizoi nevojën për të forcuar solidaritetin dhe për t'u angazhuar në bashkëpunim në vend të politikës grupore dhe konfrontimit të bllokut. "Diferenca në sistem nuk duhet të përdoret si justifikim për të krijuar ndarje; aq më pak demokracia dhe të drejtat e njeriut nuk duhet të përdoren si mjete ose armë për të arritur qëllime politike", tha ai.

Si konkluzion mund të thuhet se nëpërmjet shefit të saj të diplomacisë Wang Yi, Republika Popullore e Kinës dëshmoi edhe njëherë në organin më përfaqësues dhe autoritar ndërkombëtar se ajo i përmbahet qëndrimit konsekuent se asnjë vend nuk është mbi të tjerët dhe askush nuk duhet të abuzojë me fuqinë e tij për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendeve të tjera sovrane. Multilateralizmi është e vetmja e ardhme e rimëkëmbjes. Nga ana tjetër mesazhi ishte i drejtpërdrejt në OKB në Nju Jork: çdo skemë për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës do të përballet me kundërshtimin e fortë të të gjithë kinezëve dhe çdo lëvizje për të penguar kauzën e ribashkimit të Kinës do të shtypet nga rrotat e historisë.