Kina dhe Argjentina, shembull i bashkëpunimit midis ekonomive të reja
2022-09-30 11:56:41

foto nga VCG

foto nga VCG

"Gjatë gjysmë shekulli, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë kaluar sprovat e ndryshimeve ndërkombëtare dhe kanë shërbyer si shembull i bashkëpunimit, solidaritetit dhe zhvillimit të përbashkët të vendeve në zhvillim dhe të ekonomive të reja." Kështu u shpreh presidenti i Kinës Xi Jinping në letrën e urimit që i dërgoi të mërkurën  Forumit të Nivelit të Lartë për Shkëmbimet Kulturore Kinë-Argjentinë, duke shprehur shpresën se ky forum do të ndihmojë në hapjen e kapitullit të ri të partneritetit të gjithanshëm strategjik kino-argjentinas dhe në formimin e bashkësisë me fate të përbashkëta Kinë-Amerikë Latine, si edhe të mbarë njerëzimit. Ndërkohë, presidenti i Argjentinës  Alberto Fernández shprehu në letrën e tij të urimit shpresën për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet të dy vendeve dhe për nxitjen e mëtejshme të partneritetit të gjithanshëm strategjik Argjentinë-Kinë, për të mirën e të dy popujve dhe për të dhënë kontribut më të madh për paqen botërore.

Si një nga veprimtaritë e rëndësishme të Vitit të Bashkëpunimit Miqësor Kinë-Argjentinë 2022, me rastin e jubileut të 50-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve, letrat e urimit të të dy presidentëve për këtë forum mishërojnë plotësisht rëndësinë e madhe që i kushtojnë ata bashkëpunimit  dypalësh në epokën e re dhe do të  kenë rëndësi të madhe për thellimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik kino-argjentinas dhe për nxitjen e bashkëpunimit e të shkëmbimeve kulturore.

Gjatë 50 vjetëve, Kina dhe Argjentina janë kthyer nga vende "miq të largët" në "partnerë të gjithanshëm strategjikë", gjë që jo vetëm ka sjellë të mira konkrete për të dy popujt, por edhe vërteton se përfitimet e përbashkëta ndërmjet vendeve janë të realizueshme.

Në vitin 2021, vëllimi i tregtisë ndërmjet Kinës dhe Argjentinës pati një rritje prej 28.3 për qind në krahasim me vitin 2020, duke arritur në 17 miliardë e 800 milionë dollarë amerikanë. Kina ka ruajtur statusin e saj si partnerja e dytë më e madhe tregtare e Argjentinës. Në shkurt të këtij viti, të dy palët nënshkruan mbi dhjetë marrëveshje në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë", që kanë të bëjnë me bujqësinë, ekonominë e gjelbër, zhvillimin e gjelbër etj.

Në breg të lumit Santa Cruz të Argjentinës, Kina dhe Argjentina po ndërtojnë hidrocentralin më jugor në botë. Pas përurimit, ky central do të prodhojë afro 5 miliardë kilovatorë në vit dhe pritet t'i kursejë Argjentinës rreth 1.1 miliard dollarë amerikanë benzinë të importuar në vit.

Zhvillimi i vrullshëm dhe i gjithanshëm i marrëdhënieve kino-argjentinase pasqyron dhe gjallërinë e marrëdhënieve kino-amerikanolatine. Gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, eksporti i mallrave kineze në Amerikën Latine arriti në 947 miliardë e 760 milionë juanë, 21.4 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021, ndërkohë që importi i mallrave nga vendet e Amerikës Latine në Kinë u shtua 8 për qind. Këto rezultate vijnë nga bashkëpunimi e solidariteti ndërmjet Kinës e vendeve të Amerikës Latine dhe nga zhvillimi i përbashkët i tyre në kornizën e bashkësisë me fate të përbashkëta të të dy palëve. (Wang Lei/ Artan)