Spanja drejt dhënies së vizave për nomadët digjitalë
2022-09-29 10:02:33

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Spanja do të bëhet vendi i radhës që do të krijojë lehtësira për të ashtuquajtur nomadë digjitalë, persona që punojnë në distancë, por që japin kontributin e tyre në ekonominë e vendit ku stacionohen. Këto lloj vizash u lejojnë banorëve të vendeve joanëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, të kenë mundësinë për të jetuar dhe punuar në këtë vend.

Spanja pritet të bëhet një ndër vendet e fundit që do të japë të ashtuquajturën vizë për nomadët digjitale, gjë që u lejon banorëve të vendeve joanëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, të kenë mundësinë për të jetuar dhe punuar në këtë vend.

Marrëveshja do të jetë pjesë e një Akti të ri Start Up, që synon të thjeshtojë ligjet e famshme të ndërlikuara të Spanjës rreth krijimit të kompanive të reja, një proces që mund të zgjasë deri në një muaj, krahasuar me vetëm një ditë në një vend si Holanda.

Detajet e kësaj marrëveshjeve janë ende në proces e sipër, por pritet që ajo që në fakt është një leje qëndrimi të jetë e vlefshme fillimisht për një vit, më pas mund të rinovohet deri në pesë vjet.

Aplikantëve do t'u ofrohen kushte të favorshme tatimore dhe duhet të jenë në gjendje të dëshmojnë se kanë punuar në distancë për ndërmarrjet me bazë jashtë Spanjës për një kohë të caktuar, dhe ka një kufi se sa nga të ardhurat e tyre mund të gjenerohen nga marrëdhëniet me kompanitë spanjolle.

Vende të tjera të Bashkimit Evropian, që tashmë kanë marrëveshje të ngjashme, janë edhe Kroacia, Estonia, Greqia dhe Portugalia.

Marrëveshja do t'u lejojë njerëzve nga vendet që nuk janë pjesë e Zonës Ekonomike Evropiane mundësinë për të jetuar dhe punuar në Spanjë, duke sjellë ekspertizën e tyre dhe aftësinë për të fituar.

Qytete të tilla si Valencia, Madridi dhe Barcelona janë tashmë jashtëzakonisht tërheqëse për nomadët digjitalë nga brenda BE-së dhe hapja synon ta bëjë më të lehtë për njerëzit nga vendet e tjera që të bashkohen gjithashtu.

“Krahasuar me vendet e tjera evropiane që kam vizituar, ju patjetër mund t'i bëni paratë tuaja të shkojnë shumë më tej në Spanjë”,- tha Han Talbot, një nomad digjital, që punon në podcast-in e biznesit “The Remote Life”, për uebsajtin e udhëtimit “Lonely Planet”.

Barcelona në veçanti është e prirë të promovojë veten si një qendër teknologjike, që do të thotë se një fluks punonjësish me përvojë në distancë do të ishte i mirëpritur.

Revolucioni në punën në distancë që solli pandemia ka bërë më evidente një rrugë shpëtimi për shumë qytete të vogla në të gjithë Evropën, që më parë po humbnin popullsinë e tyre, pasi ato tani mund të tërheqin të ardhur me kosto të ulët jetese, por me aftësi për të vazhduar punën normalisht.

Ishulli portugez i Madeira-s, i cili mbështetet shumë në turizmin sezonal, ka krijuar një komunitet të nomadëve digjital në qytetin e Ponta do Sol. Po ashtu ishulli italian i Sardenjës po ofron stimuj të rëndësishëm parash për njerëzit që të lëvizin atje dhe të rigjallërojnë komunitetin lokal, por me kusht që ata të rinovojnë një pronë të zbrazët si pjesë e marrëveshjes.

Ka pasur ankesa në disa qytete të tjera se kultura e nomadëve digjitalë çon në rritjen e çmimeve të qirave të pronave nga të huajt.

Por, profesori i asociuar Raj Choudhury shkroi në “Harvard Business Revieë”: “Nomadët digjitalë investojnë kohën e tyre dhe paratë në ekonominë lokale, pa marrë vende pune lokale. Ndërtimi i urave me punëtorët lokalë të dijes është një fitore e favorshme si për punëtorët që vijnë nga vende të tjera, ashtu edhe për komunitetet lokale”.