Lorina Haxhiaj, ndër 10 vajzat europiane të hedhjes me parashutë
2022-09-29 09:54:03

Fluturimet me parashutë janë një adrenalinë e veçantë, e cila zgjon të gjitha shqisat. Femrat të cilat merren me këtë sport nuk janë të shumta në numër dhe kur dëgjojmë për një shqiptare ne ndihemi krenarë.
Ajo është Lorina Haxhiaj, shqiptarja me shpirt sfidues që  renditet në “Top 10 Parashutistet” më të mira në Europë.

Lorina është shquar në këtë çmim për nivelin e saj të korrektesës në fluturime dhe sigurisë. Ajo ka përfunduar ciklin e studimeve në degën e marketingut, një profesion që e ushtron në përditshmëri.
Lorina  ndan pasionin për t’u marrë me fluturime dhe profesionin.
"Kam kuptuar që e dua më shumë natyrën dhe çdo gjë tjeter kur jam në ajër", shprehet ajo për Grupin Medatik të Kinës.

CMG : Cili do të ishte rrëfimi për jetën tuaj?

Lorina Haxhiaj: Për jetën time unë mund të flisja gjatë, por do ta përmbledh me fjalën " përmbushje". Sinqerisht mendoj që njeriu në jetë duhet të ndihet fillimisht i përmbushur dhe i rrethuar nga njerëzit që i do dhe e duan më së shumti. Nëse një ditë unë do ulesha përballë vetes sime dhe të tregoja se kush jam, do filloja të numëroja gjithë të mirat në jetën time që për një arsye apo për një tjetër janë aty.

CMG: A kanë qenë njerëzit mbështetje që të vazhdoni një sport të tillë si parashutizmi?

Lorina Haxhiaj: Po kanë qenë dhe për këtë mendoj që kam qenë me fat. Kam një familje që ndjek çdo hap timin dhe më suporton, kam një partner të jetës që ma zbukuron edhe më teper atë, duke shfaqur kujdesin pa kushte ndaj meje dhe një profesor, i cili besoi tek fuqia e ëndrrës sime.
Asnjë njeri nuk mund t'ia dalë i vetëm pa suportin magjik të njerëzve të cilët janë aty për ty përherë.

CMG: Cila është ndjesia juaj kur fluturoni?

Lorina Haxhiaj : Unë këtë sport e kam pjesë të shpirtit tim. E kam zgjedhur vetë dhe do ta vazhdoj deri në fund. Iki të fluturoj kur jam e mërzitur, e lumtur apo kur dua t’i arratisem botës. Në çdo moment të jetës sime, sado e lodhur të jem sepse jeta nuk është e lehtë të gjithë kemi sfida, unë i them vetes " Kjo është diçka që ti e ke zgjedhur vetë, ndaj kurrë mos e lër në gjysmë ".

Kjo të jep një kënaqesi të madhe sepse fluturimi është motiv i jetës.
Unë dua që dhe në jetë të fluturoj, të marr apo të jap emocione. Kjo më ka bërë ta shoh botën edhe më bukur edhe më pozitive dhe dinamike.
Nuk ka asgjë tjeter në botë që zëvendëson vlerën e fluturimit dhe impaktin që sjell tek unë.

CMG : Profesioni juaj a ka lidhje me pasionin?

Lorina Haxhiaj : Të dyja janë shumë të rëndësishme. Për të pasur para dhe për të ndjekur pasionet duhet një punë e mirë dhe intensive. Kam përfunduar studimet në marketing në Tiranë dhe më pas e kam ushtruar si profesion. Por, nuk ka asgjë më të shenjtë se pasioni im. Nëpërmjet pasionit unë arrij të kuptoj çfarë dua dhe nuk dua, filloj ta dua më shumë natyrën dhe të qëndroj në pranë saj.

CMG : Si nisi e gjithë kjo eksperiencë?

Lorina Haxhiaj : Unë jam lloji i njeriut që gjërat nuk i bëj për dukje ose nuk i bëj fare. Kur kam nisur të merrem me këtë sport e bëra sepse doja të mësoja një gjë të re. Unë vetë si natyrë dua shumë që çdoherë të mësoj diçka të re dhe në fund të vitit dua të përfundoj duke mësuar dy gjëra të reja të cilat të më shërbejnë. Kështu nisi dhe më pas u kthye në diçka tepër serioze.

CMG :A duan shumë guxim fluturimet me parashutë?

Lorina Haxhiaj : Fluturimi në ajër nuk është i vështire, por është diçka relaksuese. Këtë gjë e kanë provuar shumë njerëz dhe miq të mi.
Kursi të cilin unë kam ndjekur më ka ndihmuar shumë sepse profesor Alket Islami,  i cili më jepte leksione dhe  nuk na lejonte kurrë të thyenim rregullat dhe çdo gjë ishte në vendin e vet. Ndaj, them se nuk është e vështire dhe frika është thjesht në kokën tuaj.

CMG: Jeni një nga parashutistet femra të mira në Europë, si ndiheni?

Lorina Haxhiaj : Po dhe ndihem me shumë fat që ja arrita kësaj gjëje pas një pune shumë të gjatë dhe të lodhshme. Unë fitova në fakt pozicionin si një parashutiste e mirë dhe dola në vend të shtatë.
Nuk e mendoja kurrë që do isha në listën e 10 vajzave më të mira në Europë për fluturime me parachute, por ja që ndodh nëse ke besim tek vetja dhe tek gjërat e bëra me përkushtim.

CMG: Cila është eksperienca më e bukur në fluturime me parashutë?

Lorina Haxhiaj : Nuk janë shumë të rrezikshme, por janë thjesht të guximshme. Unë për shembull kam fluturuar natën kur mezi shihja nga sytë. Doja ta provoja si eksperiencë dhe e shijova në maksimum atë natë. Mund të them me bindje që bota në të cilën më fut fluturimi me parashutë është e pamatë.

CMG : Cila është pjesa më e bukur e një " parashutisteje ?

Lorina Haxhiaj : Të dëgjoj që një vajzë ka nisur të merret me fluturime në ajër. Është e mrekullueshme, unë kujtoj që rrija gjatë gjithë natës pa gjumë për të kujtuar emocionet që kisha perjetuar nga hedhjet. Ndaj, duhet ta provoni nëse e keni në mendje dhe mendoni që mund t'ia dilni.
CMG :Lorina, e suksesshme ke lindur apo ke punuar?

Lorina Haxhiaj: Jo, unë e suksesshme jam bërë rrugës. Mënyra se si unë kam përballuar sfidat dhe pengesat më ka bërë të suksesshme në jetën time. Por, asnjëherë nuk kam menduar që një njeri lind i suksesshëm.
Intervistoi Megi Latifi