Kina e Argjentina zotohen për thellimin e shkëmbimeve kulturore e njerëzore dypalëshe
2022-09-29 15:08:17

Të mërkurën u zhvillua në Pekin Forumi i Nivelit të Lartë për Shkëmbimet Kulturore Kinë-Argjentinë. Drejtori i Departamentit të Publicitetit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës Huang Kunming dhe ambasadori i Argjentinës në Kinë Gustavo Sabino Vaca Narvaja lexuan përkatësisht letrat e urimit të presidentit  kinez Xi Jinping dhe homologut të tij argjentinas Alberto Fernández.

Huang-u vuri në dukje se letrat e urimit të presidentëve të të dy vendeve mishërojnë plotësisht rëndësinë e madhe që u kushtojnë ata bashkëpunimit kino-argjentinas në epokën e re, si edhe aspiratat e tyre për thellimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik kino-argjentinas dhe për nxitjen e shkëmbimeve kulturore e njerëzore dypalëshe. Letrat shërbejnë gjithashtu si udhëzime të rëndësishme për organizimin e këtij forumi.

Huang-i theksoi se Kina dhe Argjentina, si ekonomi të reja dhe vende në zhvillim,  gjenden përpara detyrave të rëndësishme për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë dhe për përmirësimin e jetesës së popullit. Ai shprehu shpresën se personat e qarqeve të ndryshme të të dy vendeve do të nxitin bashkërisht lulëzimin e bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta dhe do të bëhen mbrojtës të zhvillimit paqësor, nxitës të bashkëpunimit ekonomik e përhapës të miqësisë kino-argjentinase, për t'i dhënë më shumë energji pozitive bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit.

Ky forum, si pjesë e veprimtarive të Vitit të Bashkëpunimit Miqësor Kinë-Argjentinë 2022, u organizua nga Grupi Mediatik i Kinës dhe Sekretariati i Medies dhe i Komunikimit Publik i Argjentinës. (Wang Lei / Artan)