Agjencia e OKB-së: Turizmi ndërkombëtar, larg nivelit të para pandemisë
2022-09-28 15:49:46

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Turizmi ndërkombëtar ka treguar shenja rimëkëmbjeje, por nuk ka gjasa të kthehet në nivelet para pandemisë së shpejti, bëri të ditur Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara (UNWTO).

Sipas Barometrit të fundit të Turizmit Botëror, të publikuar nga agjencia me qendër në Madrid, rreth 474 milionë turistë udhëtuan ndërkombëtarisht në shtatë muajt e parë të këtij viti, ekuivalente me 57 për qind të numrit të mbërritjeve ndërkombëtare të turistëve në të njëjtën periudhë para pandemisë, citon “Xinhua”.

Rimëkëmbja më e fortë u raportua në Evropë dhe Lindjen e Mesme, me përkatësisht 74 për qind dhe 76 për qind të niveleve të vitit 2019.

Edhe pse optimiste për pjesën e mbetur të vitit 2022, agjencia e OKB-së beson se mjedisi i pasigurt ekonomik ka përmbysur perspektivat për një kthim në nivelet para pandemisë në një afat të afërt.

Kjo është kryesisht për shkak të rritjes së inflacionit dhe rritjes së çmimeve të naftës, që kanë shtuar kostot e transportit dhe kanë vënë nën presion fuqinë blerëse, bëri të ditur agjencia e OKB-së. (Elona)