Kina nxit përpjekjet për zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës
2022-09-28 14:50:41

Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara Zhang Jun nxiti të martën përpjekjet për një zgjidhje politike të konfliktit në Ukrainë.

Zhvillimet e fundit në Ukrainë tregojnë se të gjithë duhet të synojnë e të mbështetin paqen dhe se kundërvënia në bllok, izolimi politik, sanksionet dhe presioni vetëm çojnë në një rrugë pa krye, tha Zhang në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Ukrainën.

"Detyra kryesore tani është të nxiten palët të hapin dyert për një zgjidhje politike sa më parë të jetë e mundur, të përfshijnë shqetësimet e ligjshme në negociata dhe të vënë në tryezë të gjitha mundësitë praktike," theksoi ai.

Nënshkrimi i Nismës së Drithit të Detit të Zi ka treguar tashmë se edhe në situata konflikti, diplomacia mund të japë rezultate dhe të sjellë shpresë, tha përfaqësuesi kinez.

Sipas tij, ruajtja e rendit ndërkombëtar bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe respektimi i normave bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare mbështetur në qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së nuk duhet të jenë thjesht parulla politike.

Këshilli i Sigurimit, si thelbi i mekanizmit ndërkombëtar të sigurisë kolektive, duhet të përdorë plotësisht mjetet e ndërmjetësimit të dhëna nga Karta e OKB-së dhe të ndjekë drejtimin e duhur të armëpushimit e bisedimeve të paqes, duke ndërmarrë në veçanti veprime konstruktive e të përgjegjshme për të krijuar kushte e hapësirë për një zgjidhje politike, tha Zhang.

Kina do të punojë me të gjitha vendet paqedashëse për të vijuar përpjekjet e pareshtura për çtensionimin e situatës dhe për zgjidhjen e krizës, shtoi ai. (Artan/Fani)