PKK rrit luftën kundër korrupsionit
2022-09-27 11:51:42

Foto nga VCG

Ish-zëvendësministri i Sigurisë Publike, Sun Lijun u bë zyrtari më i fundit i profilit të lartë që u dënua për korrupsion, pasi mori një dënim me vdekje me dy vjet pushim për marrje ryshfeti, manipulim të bursës dhe posedim të paligjshëm të armëve të zjarrit, njofton “China Daily”.

Së bashku me Sunin, i cili konsiderohej kreu i klikës së tij politike dhe që do të qëndrojë pas hekurave për pjesën tjetër të jetës, u dënuan edhe disa anëtarë të kësaj bande, duke përfshirë ish-ministrin e Drejtësisë Fu Zhenghua dhe tre ish-shefa policie të provincës Shangai, Chongqing dhe Shanxi.

Ndëshkimi që iu dha këtij ish-zyrtari të profilit të lartë dhe klikës së tij ishte vetëm shembulli më i fundit i betejës së ashpër dhe të pandërprerë të Kinës kundër korrupsionit, për të cilën ekspertët thanë se është fokusuar në industri dhe sektorë kyç për të përmirësuar efikasitetin e tij dhe është shoqëruar nga një mbikëqyrje e forcuar dhe menaxhim për të frenuar ryshfetin dhe ndikimin e tij shkatërrues.

Që nga Kongresi i 19-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës në vitin 2017, Partia ka përmirësuar vetëqeverisjen e saj dhe ka punuar pa u lodhur për të forcuar disiplinën dhe për të përmirësuar sjelljen, tha presidenti Xi Jinping teksa iu drejtua ceremonisë së hapjes së një sesioni studimor.

Presidenti Xi, i cili është gjithashtu sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, shtoi se Partia ka marrë gjithashtu hapa të koordinuar për të siguruar që zyrtarët mos të kenë mundësinë, dëshirën ose guximin për t'u përfshirë në korrupsion. Ai theksoi gjithashtu nevojën për të ushtruar qeverisje të plotë dhe rigoroze mbi Partinë, duke paralajmëruar për çdo plogështi apo lodhje. (Fatosi)