Super tajfuni “Noru” godet Filipinet, regjistrohen 5 viktima
2022-09-27 16:05:57

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Super tajfuni “Noru” goditi ishullin Luzon në Filipine me reshje të dendura shiu dhe erëra që nga pasditja e së dielës, duke lënë pesë persona të vdekur, ndërsa u largua nga vendi i Azisë Juglindore të hënën, njofton “Xinhua”.

Guvernatori i provincës Bulacan, Daniel Fernando, deklaroi se një përmbytje e papritur u mori jetën pesë personave në qytetin San Miguel, në veri të Manilës. Disa pjesë të qytetit janë ende nën ujë dhe baltë.

Agjencia Kombëtare e Fatkeqësive ende nuk e ka raportuar incidentin.

Agjencia Shtetërore e Motit e uli forcën e “Noru” në një tajfun të dielën në mbrëmje. “Noru” të hënën në mëngjes lëvizi në drejtim të veriut me 30 km në orë, me erëra me shpejtësi 140-170 km në orë.

Presidenti i Filipineve Ferdinand Romualdez Marcos kreu një inspektim ajror të tre provincave në veri të Manilës të goditura nga cikloni. Ai pritet të vizitojë gjithashtu provincën Quezon, të përfshirë nga “Noru”.

“E gjithë sfera e ndihmës është e përgatitur dhe gati për të shkuar”, tha ai në një konferencë shtypi.

Noru është cikloni i 11-të dhe më i fuqishëm që përfshiu Filipinet këtë vit. (Fatosi)