Treni i mallrave për Ekspozitën e Importit të Kinës 2022 u nis nga Hamburgu për në Shangai
2022-09-27 15:09:53

Treni i mallrave për Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës 2022 u nis të hënën nga Hamburgu i Gjermanisë për në Shangai të Kinës./ foto nga CMG

Treni i mallrave për Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës 2022 u nis të hënën nga Hamburgu i Gjermanisë për në Shangai të Kinës. Ky është viti i dytë me radhë që mallrat për këtë ekspozitë transportohen në Shangai me trenin e mallrave Kinë-Evropë.

Kësaj here, treni përmban gjithsej  44 kontejnerë, secili 13.4 metra i gjatë. 14 prej tyre mbartin produktet e Gjermanisë për ekspozitën, përfshirë pjesë këmbimi automjetesh, tuba etj. Pas riorganizimit në Poloni, treni do të kalojë nga Bjellorusia e Rusia dhe do të mbërrijë në Shangai pas 22 ditëve.

Jin Wei, përfaqësuesi i konsullatës së Kinës në Hamburg, vuri në dukje në ceremoninë e nisjes së trenit të hënën se, me thellimin e pandërprerë të nismës "Një brez, një rrugë", trenat e mallrave Kinë-Evropë kanë pasur suksese të vazhdueshme gjatë 11 vjetëve.

"Sivjet është jubileu i 50-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës e Gjermanisë. Në sytë e mi, treni i mallrave për Ekspozitën e Importit simbolizon miqësinë 36-vjeçare ndërmjet Hamburgut e Shangait, mishëron derën e hapur gjithmonë të Kinës dhe nënkupton bashkëpunimin e pandërprerë ndërmjet Kinës dhe Gjermanisë," u shpreh ai.

Ndërkohë, Alexander Thonert, menaxheri i zhvillimit të biznesit të kompanisë "InterRail Europe", i tha gazetarit të Grupit Mediatik të Kinës se trenat Kinë-Evropë kanë mallra cilësore e të shumëllojshme dhe kanë hapur një kanal logjistik shumë të përshtatshëm për tregtinë dypalëshe.

"Kemi vëmë re se në Rrugën e re të Mëndafshit, vëllimi i transportit hekurudhor të mallrave është shtuar vazhdimisht. Shpresoj se kjo prirje e mirë do të vijojë më tej," vuri në dukje Thonert.(Wang Lei/ Artan)