Kina nis ndërtimin e teleskopit më të madh të drejtuar në botë
2022-09-26 10:25:37

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kina filloi të ndërtojë radio-teleskopin më të madh në botë plotësisht të drejtuar këtë javë në Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit në Kinën veriperëndimore, njofton “CGTN”.

Radio-teleskopi Qitai (QTT), i vendosur në qarkun Qitai në Xinjiang, do të ketë një bosht drejtues me një diametër prej 110 metrash, 0 për qind më i madh se ai i teleskopit “Green Bank” në Virxhinia Perëndimore të Amerikës, i cili aktualisht është më i madhi i këtij lloji në botë.

Do të duhen rreth gjashtë vjet për të përfunduar ndërtimin e QTT.

Pas përfundimit, do të jetë në gjendje të mbulojë 75 për qind të qiellit me ndjeshmëri të lartë, duke ofruar një platformë vëzhgimi të klasit botëror për studime në fusha të tilla si vrimat e zeza, kuazaret, shpërthimet e shpejta të radios, materia e errët, valët gravitacionale dhe origjina e jeta në univers.

Kina tashmë pret radio-teleskopin më të madh në botë, Radio Teleskopin Sferik me Hapje 500 metra (FAST), i cili ndodhet në një pellg natyror në malet e provincës Guizhou të Kinës jugperëndimore.

Por sipërfaqja reflektuese e FAST është pak a shumë e fiksuar, duke kufizuar zonën e qiellit që mund të vëzhgojë.

Aftësia e QTT për të rrotulluar në të gjitha drejtimet për të synuar objektiva specifike dhe diametri i tij i paprecedentë do ta bëjë atë një tjetër sy të mprehtë për Kinën që të shikojë në qiell, duke mbështetur eksplorimin e thellë të hapësirës së vendit, deklaroi Wang Na, kreu i Observatorit Astronomik Xinjiang, nën Akademinë Kineze të Shkencave. (Fatosi)