Kina nis procedurën ligjore të miratimit të Protokollit të Armëve të Zjarrit
2022-09-26 20:07:31

Foto:VCG

Foto:VCG

Kina ka vendosur të nisë procedurën e brendshme ligjore për miratimin e Protokollit të Armëve të Zjarrit, një masë e rëndësishme që tregon vënien në praktikë prej Kinës të Nismës së Sigurisë Globale dhe ruajtjen e paqes e të stabilitetit ndërkombëtar dhe rajonal, deklaroi të hënën Ministria e Jashtme kineze.

 

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi e njoftoi fillimin e procedurës në Kinë në debatin e përgjithshëm të sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të shtunën. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin theksoi në një konferencë të rregullt për shtypin se kjo lëvizje tregon vendosmërinë e Kinës për të mbështetur multilateralizmin dhe për të praktikuar konceptin e bashkësisë me të ardhme të përbashkët për njerëzimin.

 

Kina po përdor mjetet e brendshme ligjore në përputhje me rregullat, duke shpresuar ta miratojë Protokollin e Armëve të Zjarrit sa më parë, tha Wang.

 

Qeveria kineze i kushton rëndësi të madhe çështjes së kontrollit të armëve dhe kundërshton me vendosmëri prodhimin dhe trafikun e paligjshëm të armëve të zjarrit, shtoi ai, duke vënë në dukje se Kina është një nga vendet më të sigurta dhe me numrin më të vogël të krimeve nga armët në botë.

 

Wang tha se Kina menaxhon seriozisht eksportin e produkteve ushtarake, përmbush detyrimet ndërkombëtare dhe kryen shkëmbime e bashkëpunim ndërkombëtar, duke marrë vlerësime pozitive nga bashkësia ndërkombëtare.

 

Duke e trajtuar miratimin e Protokollit të Armëve të Zjarrit si një mundësi, Kina është e gatshme të forcojë shkëmbimet dhe bashkëpunimin me të gjitha palët, duke u përkushtuar bashkërisht për zgjidhjen e çështjeve të abuzimit me armët, theksoi zëdhënësi i diplomacisë kineze.