Kina autorizon provat klinike për ilaçin antiviral oral të prodhuar në vend
2022-09-26 18:04:08

Foto:VCG

Foto:VCG

Kina ka autorizuar provat klinike për ilaçin antiviral oral të prodhuar në vend për trajtimin e COVID-19, GST-HG171, bëri të ditur të dielën Kompania Farmaceutike "Cosunter" e Fujian-it që e ka krijuar këtë ilaç, duke theksuar kapacitetin efektiv antiviral të tij kundër variantit origjinal, varianteve "Beta" e "Delta" dhe nënvarianteve BA.4 e BA.5 të "Omicron"-it.

Sipas një deklarate nga "Cosunter", kompania e mori miratimin nga Administrata Kombëtare e Produkteve Mjekësore e Kinës më 23 shtator.

GST-HG171 është miratuar për prova klinike për të trajtuar rastet e lehta deri në mesatare të COVID-19 te të rriturit, thuhet në deklaratë.

Sipas kompanisë "Cosunter", ky ilaç, frenues i proteazës së ngjashme me 3C-në të koronavirusit, tregoi efikasitet dhe siguri të shkëlqyer antivirale në studimet paraklinike te kafshët.

Më shumë se 10 barna për trajtimin e COVID-19 që merren nga goja, po studiohen dhe prodhohen tani në Kinë.

Më 25 korrik, Administrata Kombëtare e Produkteve Mjekësore dha miratimin e kushtëzuar për "Azvudine"-n, ilaçi i parë antiviral oral i prodhuar në Kinë për trajtimin e COVID-19, pesë muaj pasi i dha miratimin e kushtëzuar ilaçit të trajtimit të COVID-19 "Paxlovid" të kompanisë "Pfizer".