Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres
2022-09-25 15:14:59

foto: Xinhua

foto: Xinhua

Të premten, Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres në kuadër të debatit të përgjithshëm të UNGA 77 në Nju Jork.

Sekretari i Përgjithshëm Guterres ka bërë thirrje për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar pasi bota sot është plot ndryshime dhe kaos, të cilat pala kineze i vlerëson thellësisht, tha Wang. Kina ka mbrojtur gjithmonë qëndrimin se vendet e mëdha, veçanërisht anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duhet të marrin drejtimin në përputhje me ligjin ndërkombëtar, në ruajtjen e autoritetit të OKB-së, në praktikimin e multilateralizmit të vërtetë dhe në ndihmën e vendeve në zhvillim - tha Wang - duke shtuar se është për të ardhur keq që një shtet i caktuar i madh, për interesat e tij vetjake, praktikon unilateralizmin në emër të multilateralizmit dhe krijon qarqe apo klika të vogla kudo nën pretekstin e mbajtjes së të ashtuquajturave rregulla. Kina do të qëndrojë e vendosur me OKB-në, do ta mbështesë në mënyrë të palëkundur rolin qendror të saj në çështjet ndërkombëtare dhe përpjekjeve për të luajtur një rol më të madh në adresimin e sfidave me të cilat përballet paqja dhe siguria, tha Wang.

Guterres shprehu vlerësimin për rolin kyç që Kina ka luajtur vazhdimisht në mbështetje të multilateralizmit, promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke thënë se partneriteti me Kinën është një shtyllë e rëndësishme për OKB-në dhe multilateralizmin. Guterres e informoi Wang në lidhje me përpjekjet e fundit për të promovuar dërgesat e grurit të Ukrainës dhe eksportet e plehrave të Rusisë, duke shprehur shqetësim të thellë për vështirësitë me të cilat përballen vendet në zhvillim për shkak të përhapjes së krizës ukrainase. Guterres tha se OKB-ja e merr zhvillimin si prioritet dhe shpreson të forcojë bashkëpunimin me Kinën mbi çështjet që kanë interes për vendet në zhvillim, si financimi, reagimet ndaj ndryshimeve klimatike, biodiversiteti dhe masat kundër pandemisë.

Wang tha se Kina vlerëson ndërmjetësimin aktiv dhe rezultatet e prekshme të Sekretarit të Përgjithshëm, duke shtuar se pozicioni thelbësor i Kinës për çështjen e Ukrainës është të promovojë bisedimet e paqes dhe të qëndrojë në anën e paqes. Ai theksoi se Kina do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në mënyrën e vet. Wang theksoi se presidenti kinez Xi Jinping ka propozuar “Iniciativën për Zhvillim Global” dhe “Iniciativën e Sigurisë Globale”, të cilat i kanë dhënë një hov të mëtejshëm planeve të Kinës për të nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar për zhvillim. Këto inisiativa do të ndihmojë më tej edhe zbatimin e Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, duke ofruar të mira publike dhe zbutur situatën e konfrontimeve dhe deficitin e sigurisë, për t’u përballur së bashku me sfidat aktuale të rënda. Wang tha se Kina është e gatshme të punojë ngushtë me OKB-në për të krijuar konsensus më të madh, për të mbledhur më shumë forca dhe për të lehtësuar më shumë veprime, duke shtuar se Kina do të vazhdojë të mbështesë kauzat e ndryshme të OKB-së dhe të marrë përgjegjësitë e saja.

Në të njëjtën ditë, Wang u takua gjithashtu me zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Tajlandës, Don Pramudwinai dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Sri Lankës, Mohamed Ali Sabry.