Kryediplomati kinez Wang Yi takohet me ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock
2022-09-24 15:51:26

foto: VCG

foto: VCG

Të enjten, Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u takua me ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock në Nju Jork. Wang Yi tha se që nga takimi i ministrave të Jashtëm të dy vendeve në Bali, bashkëpunimi praktik mes dy palëve ka bërë shumë progres, duke dërguar sinjale pozitive dhe demonstruar potencialin e qëndrueshmërinë e marrëdhënieve Kinë-Gjermani. Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Gjermanisë 50 vite më parë, të dy vendet kanë kuptuar njëri-tjetrin dhe bashkëpunimi i gjithanshëm ka vazhduar të avancojë, duke sjellë përfitime për të dy popujt.

Nuk ka asnjë konflikt thelbësor interesi mes Kinës dhe Gjermanisë, dhe ne duhet të forcojmë komunikimin dhe të përmirësojmë mirëkuptimin. Të dyja palët duhet të bëjnë përgatitje të mira për shkëmbime të nivelit të lartë e konsultime ndërqeveritare, të thellojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe të planifikojnë zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe për 50 vitet e ardhshme.

Baerbock tha se Gjermania i përmbahet politikës “një Kinë” dhe i kushton rëndësi të madhe mbajtjes së shkëmbimeve dhe bashkëpunimit të nivelit të lartë në fusha të ndryshme. Kina është një forcë e rëndësishme globale. Gjermania vlerëson se Kina ka vendosur objektiva ambicioze për reduktimin e emetimeve të karbonit dhe ka luajtur një rol shembullor në përballimin e ndryshimeve klimatike. Gjermania është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Kinën në transformimin e gjelbër dhe zhvillimin inovativ, duke shfaqur rol udhëheqës në fusha të tilla, si realizimi i qëllimit të kontrollit të temperaturës në Marrëveshjen e Parisit dhe për t’u përballur së bashku me sfidat globale.

     Të dy palët shkëmbyen mendime për çështjen e Ukrainës. Wang Yi shpjegoi katër pikat e propozuara nga presidenti kinez Xi Jinping për konfliktin, duke thënë se Kina ka këmbëngulur gjithmonë për paqen dhe nxitjen e bisedimeve. Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë përpjekje të përbashkëta për të promovuar së bashku një armëpushim dhe për të ndalur konfliktin, në mënyrë që paqja të mund të vijë sa më parë dhe, në të njëjtën kohë, të merret me çështjet urgjente humanitare dhe efektet negative të përhapjes së krizës. Të dyja palët shkëmbyen mendime edhe për çështjen bërthamore në Gadishullin Korean.