Vendet evropiane marrin masa për kursimin e energjisë
2022-09-24 12:14:16

Fikja e dritave, ulja e termostateve, vendosja e sensorëve të lëvizjes, janë disa nga masat e ndërmarra nga qeveritë e vendeve të Evropës Qendrore, me synimin për të kursyer energjinë, si pjesë e përpjekjes për uljen e kostove të energjisë dhe përballimin e shkurtimeve në dërgesat e gazit natyror nga Rusia.

Disa vende të Evropës Qendrore janë shumë të varura nga gazi natyror rus. Në të njëjtën kohë, rritja e çmimeve të energjisë është bërë shqetësuese në të gjithë Kontinentin e Vjetër, shkruan “RTSH”.

Qeveria çeke njoftoi se po heq gjysmën e llambave në zyrat qeveritare dhe do të zëvendësojë pjesën tjetër me llampa LED që përdorin më pak energji elektrike. Gjithashtu janë instaluar sensorë lëvizjeje për të zbehur ndriçimin në korridore.

Në Hungari, qeveria udhëzoi institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike që të ulin konsumin e gazit natyror me 25% krahasuar me një vit më parë, duke përjashtuar spitalet dhe shërbimet sociale.

Në Rumani, dritat po errësohen në Parlament, i njohur gjithashtu si Pallati i Popullit, ndërtesa e dytë më e madhe në botë pas Pentagonit në SHBA. Ndriçimi i jashtëm është përgjysmuar dhe projektorët do të ndizen vetëm për dy orë çdo natë.

Në Poloni, qeveria u kërkoi agjencive të saj të ulin konsumin e energjisë elektrike me 10%. Punonjësve u kërkohet të printojnë vetëm dokumente absolutisht të nevojshme, të shkëputin karikuesit kur nuk janë në përdorim dhe të mbyllin kompjuterët kur largohen. Varshava po zëvendëson gjithashtu rreth 38.000 llamba rrugore me LED.

Në Sllovaki, universitetet kanë paralajmëruar se do të përdorin mësimin në distancë nëse qeveria nuk rrit fondet për ngrohjen deri në mes të nëntorit.

Në Republikën Çeke, një sondazh me rreth 500 klube sportive tregoi se 61% e atyre që përdorin ambiente të brendshme (si pishina, shesh patinazhi, palestra) po përballen me probleme të mëdha, pasi kostot e tyre të energjisë tashmë janë rritur me 135%. (Irma)