Ukraina dhe Rusia kryejnë shkëmbimin më të madh të të burgosurve
2022-09-23 19:21:03

Ukraina dhe Rusia kanë kryer shkëmbimin më të madh të të burgosurve që nga fillimi i konfliktit më 24 shkurt, njoftoi Shtabi Koordinues për Trajtimin e të Burgosurve, citon “Xinhua”.

Sipas Shtabit, 215 ukrainas, përfshirë 124 oficerë, u kthyen në shtëpi.

Midis të liruarve janë ushtarakë nga regjimenti Azov që luftoi për fabrikën e çelikut Azovstal të Mariupolit, si dhe trupa nga marina ukrainase, Shërbimi i Sigurimit Shtetëror, Shërbimi Doganor Shtetëror dhe agjenci të tjera.

Përveç kësaj, dy civilë u liruan nën shkëmbim.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se u liruan gjithashtu dhjetë shtetas të huaj nga robëria ruse nën shkëmbimin.

Ukraina dhe Rusia kryen shkëmbimin e tyre të parë të të burgosurve më 24 mars. (Irma)