Kina përdor dronë për matjet e motit në pllajë
2022-09-23 10:13:23

Kina ka filluar të eksplorojë duke përdorur dronë për të vëzhguar dhe matur motin në pllajat e saj, sipas Korporatës së Industrisë së Aviacionit në Kinë, ndërmarrja kryesore e aviacionit në vend. 

Në hapin e parë të një projekti eksperimental të ndërmarrë  nga Administrata Meteorologjike e Kinës, një dron i modifikuar “Wing Loong 2” u përdor për të kryer një test vëzhgimi meteorologjik të shtunën e kaluar, njoftoi korporata në një deklaratë për shtyp.

Një dron i modifikuar “Wing Loong 2” u përdor për të kryer një test vëzhgimi meteorologjik të shtunën e kaluar/ foto nga China Daily

Droni është një variant civil i dronit luftarak “Wing Loong 2”  i zhvilluar dhe ndërtuar nga Sistemi i Mjeteve Ajrore pa pilot AVIC Chengdu. 

Droni u ngrit nga aeroporti “Aba Hongyuan”, në prefekturën autonome Aba të kombësive tibetiane dhe qiang në provincën Sichuan, dhe fluturoi për në vargmalin Aemye Ma-chhen në pjesën juglindore të provincës Qinghai. 

Në një lartësi prej 7,500 metrash, droni lëshoi 12 pajisjeje për monitorimin e motit. 

Të dhënat e marra nga pajisjet, si dhe radari i hapjes sintetike dhe profili i mikrovalës atmosferike të montuar në dron, regjistruan elementë meteorologjikë, si shpërndarja e reve, lagështia dhe fusha e erës. 

Të dhënat do të ofrojnë informacion thelbësor shkencor për kërkuesit dhe do t'i ndihmojnë ata të përmirësojnë saktësinë e parashikimit të motit për Kinën jugperëndimore dhe gjithashtu të forcojnë gatishmërinë për fatkeqësitë e lidhura me motin, vuri në dukje korporata. 

Korporata e Industrisë së Aviacionit në Kinë bëri të ditur se kjo është  hera e parë që një dron i madh është përdorur në Kinë për të kryer operacione meteorologjike në rajonet e pllajave. 

Xu Xiangde, anëtar i Akademisë Kineze të Inxhinierisë dhe këshilltar kryesor për projektin eksperimental, tha se Rrafshnalta Qinghai-Tibet ka një ndikim të konsiderueshëm në ndryshimin e klimës në Kinë dhe Azinë Lindore dhe madje edhe në mbarë globin, por për shkak të vështirësive në ngritjen dhe drejtimin e stacioneve meteorologjike atje, mungojnë shumë informacione kyçe, si struktura vertikale e atmosferës. 

Vendosja e dronëve të mëdhenj në lartësi të madhe do t'u mundësojë studiuesve të mbyllin hendekun dhe të fitojnë më shumë njohuri rreth elementeve meteorologjike lokale dhe gjithashtu do të ndihmojë në politikëbërjen për burimet ujore dhe mbrojtjen e mjedisit në Pllajën Qinghai-Tibet, shpjegoi ai. 

Li Liangxu, drejtor i Qendrës së Vëzhgimit Meteorologjik të Administratës Meteorologjike të Kinës, tha se qendra do të organizojë më shumë fluturime për të matur kanalet e lagështirës, shpërndarjen e akullnajave dhe burimet e ujit në rajonet e akullnajave në Qinghai jugor. Po ashtu, do të krijojë një sistem vëzhgimi me bazë ajrore që mbështetet në avionë pa pilot.

Korporata e Industrisë së Aviacionit në Kinë ka ndërtuar disa modele civile të bazuara në dronët luftarakë “Wing Loong 2” dhe “Wing Loong 10” për të ofruar përgjigjen emergjente, parashikimin e motit dhe shërbime të tjera publike.

“Ganlin 1”, i bazuar në “Wing Loong 2”, e kreu testin e parë të fluturimit në janar 2021 në provincën Gansu. Ai është droni i parë i madh në botë i dedikuar për kontrollin e motit.

“Wing Loong 2H”, një tjetër variant i bazuar në “Wing Loong 2" luajti një rol të madh në korrik të vitit të kaluar në përpjekjen për të rivendosur shërbimet e komunikimit dhe monitorimit në disa pjesë të provincës Henan që u prekën rëndë nga shirat e dendur dhe përmbytjet.