Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u takua me këshilltarin diplomatik të presidentit francez Emmanuel Bonne
2022-09-22 16:48:38

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u takua me këshilltarin diplomatik të presidentit francez Emmanuel Bonne të martën në Nju-Jork, ku po zhvillohet sesioni i 77-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Bonne paraqiti pikëpamjet e shprehura nga presidenti Macron për krizën në Ukrainë në fjalimin që mbajti në debatin e përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Macron-i tha se Franca i kushton rëndësi të madhe sigurisë, qëndrueshmërisë e rikthimit të paqes në Evropë dhe është e gatshme të mbajë shkëmbime të nivelit të lartë me Kinën e të forcojë komunikimin e bashkërendimin, duke punuar së bashku për t'i dhënë fund luftës e për të nxitur paqen.

Wang Yi tha që Pekini e vlerëson faktin se presidenti Macron foli edhe një herë kundër një Lufte të Ftohtë të re, kundërvënies ndërmjet kampeve e grupeve dhe ndarjes së botës.

"Kina mban qëndrimin e ruajtjes së sovranitetit e të integritetit territorial të të gjitha vendeve dhe të respektimit të objektivave e të parimeve të Kartës së OKB-së. Si Kina, ashtu edhe Franca janë të përkushtuara ndaj paqes dhe shpresojnë t'i japin fund konfliktit sa më shpejt të jetë e mundur nëpërmjet bisedimeve paqësore. Përballë krizës së tanishme, është e nevojshme që Kina e Franca të flasin me një zë dhe të tregojnë përgjegjësinë e tyre si fuqi të mëdha dhe si vende anëtare të përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së," u shpreh kryediplomati kinez.