Kina nxit realizimin e të drejtave të njeriut për të gjithë
2022-09-22 14:35:35

Kina i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të zbatojë si duhet Nismën e Zhvillimit Global, për të garantuar që popujt të gëzojnë të drejtat e njeriut në mënyrë të gjerë, të plotë, të vërtetë, konkrete e të efektshme, duke rigjallëruar bashkëpunimin ndërkombëtar në kuadër të Agjendës së  Zhvillimit të Vazhdueshëm 2030 dhe duke ndërtuar bashkësinë me fate të përbashkëta të njerëzimit.

Chen Xu, përfaqësuesi i Kinës në Zyrën e OKB-së dhe Organizata të Tjera Ndërkombëtare në Gjenevë

Chen Xu, përfaqësuesi i Kinës në Zyrën e OKB-së dhe Organizata të Tjera Ndërkombëtare në Gjenevë

Kështu u shpreh përfaqësuesi i Kinës në Zyrën e OKB-së dhe Organizata të Tjera Ndërkombëtare në Gjenevë Chen Xu në sesionin e 51-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së mbi problemet e të drejtave të njeriut në fushat ekonomike, shoqërore, kulturore, zhvillimore etj.

Sipas tij, në kushtet e ndryshimeve të mëdha, ndikimit të pandemisë në botë, dështimit të mëkëmbjes së ekonomisë botërore, zgjerimit të hendekut të zhvillimit midis Jugut e Veriut dhe dobësimit të vullnetit për bashkëpunim, vënia në jetë e Agjendës së Zhvillimit të Vazhdueshëm 2023 të OKB-së ndodhet para sfidave të panjohura më parë dhe rruga për arritjen e të drejtave të njeriut për çdo individ është ende e gjatë. "Jeta e lumtur është e drejta më e madhe e njeriut. Vendet e ndryshme duhet ta vënë popullin në qendër të punës së tyre, duke u nisur nga kushtet vendore dhe kërkesat e njerëzve, duke përmirësuar në mënyrë të bashkërenduar të drejtat e njeriut të të gjithëve në aspektet ekonomike, politike, shoqërore, kulturore e mjedisore, për të nxitur zhvillimin e gjithanshëm të banorëve, me synimin që ata të gëzojnë të drejtat e njeriut në mënyrë të gjerë, të plotë, të vërtetë, konkrete dhe të efektshme", shtoi z. Chen.

Salla e mbledhjes së Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së(Foto:VCG)

Salla e mbledhjes së Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së(Foto:VCG)

Përfaqësuesi kinez theksoi se zhvillimi është baza e gëzimit të të drejtave të njeriut. Nisma e Zhvillimit Global e paraqitur nga presidenti kinez Xi Jinping, është një tjetër produkt publik për të nxitur kauzën botërore të të drejtave të njeriut, i cili është pritur pozitivisht nga bashkësia ndërkombëtare, duke u mbështetur prej mbi 100 vendeve të botës. "Kina është e gatshme ta trajtojë së bashku me vendet të tjera zhvillimin si detyrë parësore, ta zbatojë si duhet këtë nismë, të përtërijë bashkëpunimin ndërkombëtar për Agjendën e Zhvillimit të Vazhdueshëm 2030, të nxitë realizimin e të drejtave të zhvillimit në përmasë botërore dhe të ndërtojë bashkësinë e fateve të përbashkëta të njerëzimit", tha Chen Xu në fjalimin e tij.(Zhang Yan/Artan)