A do të përfitojë Kina nga rritja e popullsisë në pension?
2022-09-22 15:01:22

Kina do të jetë një shoqëri "në plakje të rëndë" para fundit të vitit 2035, kur numri i të moshuarve mbi 60 vjeç do t’i kalojë 400 milionët, duke zënë 30 % të popullsisë së përgjithshme të vendit, tha Wang Haidong, drejtor i Departamentit për Plakjen e Popullsisë dhe Shëndetin pranë Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë në një konferencë shtypi të martën. Megjithatë, a mund të ketë kjo edhe një anë pozitive, për shembull nëse këta të moshuar rifuten në tregun e punës?

Foto:VCG

Foto:VCG

Para tre vjetësh, Dong Ying, pas 34 vjetësh pune si mësuese në shkollë fillore, doli në pension, me shpresën që do të kishte më shumë kohë për udhëtime, vallëzim dhe argëtim. Por, gëzimi i shkaktuar nga “liria” e rigjetur nuk zgjati për shumë kohë.

“Ndihesha ndonjëherë pa vlerë”, rrëfen 58-vjeçarja. “Kisha shumë kohë, por nuk kisha asgjë vërtet me rëndësi për të bërë”.

Dong u kthye në punë dhe u bë kujdestare e konviktit të një shkolle të mesme me një rrogë mujore të barasvlershme me afro 360 dollarë. Por gjatë kërkimit të punës, ajo zbuloi se pengesa më e madhe ishte mosha e saj.

“Shumë kompani në sektorin arsimor nuk dëshironin të punësonin të moshuar. Kështu që u detyrova të zgjidhja punë me pagë të ulët dhe detyra jo të rëndësishme”, thotë Dong. “Për mua, paraja nuk është më përparësi. Puna është një rast për mua të takoj njerëz të rinj, të mësoj dhe të ndihem e nevojshme.”

Foto:VCG

Largimi nga puna në moshën 65-vjeçare është diçka e zakonshme në shumë vende me shoqëri në plakje. Por në Kinë, mosha zyrtare e daljes në pension është 60 vjeç dhe gratë mund të pensionohen pasi mbushin 55 ose 50 vjeç, në varësi nga profesioni dhe posti i tyre.

Disa pensionistë kinezë mendojnë se mosha 60-vjeçare është koha për t'u kujdesur për nipërit e mbesat, për të gjetur një pasion të ri ose thjesht për të pushuar. Por, për gjithnjë e më shumë të moshuar si Dong, shtyrja e daljes në pension është një alternativë më tërheqëse.

Në vitin 2020, mbi 267 milionë veta në Kinë ishin mbi 60 vjeç, sa 18.9 % e popullsisë së përgjithshme të vendit. Ndër ta, më shumë se 55% ishin nën 70 vjeç, duke përbërë një forcë kryesore ende në gjendje për punë pas pensionimit.

Kjo shifër do të vazhdojë të rritet shpejt, pasi njerëzit që i takojnë periudhës së “bumit të lindshmërisë”, pra ata që kanë lindur në vitet '60-'70 të shekullit të kaluar, do të hyjnë në moshën e pensionit në dhjetë vjetët e ardhshëm.

Foto:VCG

Foto:VCG

Për të përmirësuar punësimin e të moshuarve, në fund të gushtit u vu në përdorim nga qeveria kineze një uebsajt për talentet e moshuara kineze, duke ofruar një platformë për ripunësimin e të moshuarve në pension. Në dy ditët e para, mbi 5000 punëkërkues dhe 110 punëdhënës u regjistruan në këtë uebsajt.

“Shumë njerëz kanë dëshirë të vazhdojnë të punojnë pas daljes në pension, sipas një sondazhi që kemi bërë”, tha Su Hui, zv.drejtor i Qendrës së Informacionit për Talentet e Moshuara në Komitetin Kombëtar për Plakjen e Popullsisë të Kinës. Qendra përgjigjet për dizenjimin dhe vënien në funksionim të uebsajtit.

Ndryshimet demografike, përmirësimi i kujdesit shëndetësor dhe rritja e nivelit arsimor, si dhe ndryshimi i vlerave dhe i qëndrimit ndaj punës, të gjitha këto u kanë krijuar mundësi të moshuarve të punojnë për një kohë më të gjatë.

Ndërkohë, ngritja e jetëgjatësisë përbën një tjetër faktor për rritjen e kërkesave për zgjatjen e kohës së punës në Kinë.

Të dhënat statistikore të publikuara në korrik nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë tregojnë se jetëgjatësia mesatare e banorëve kinezë u rrit nga 77.9 në vitin 2020 në 78.2 vjeç.

Ndërsa në vendet anëtare të OECD-së, mesatarisht 14.7 % e popullsisë mbi 65-vjeçare janë ende në punë. Në Japoni, rreth 25% e banorëve mbi 65 vjeç ende punojnë, ndërsa shifra në Korenë e Jugut është mbi 30%.