Konfindustria (Foto RTSH)
Konfindustria kërkon që qeveria të rishikojë fashën prej 800 kilovatësh për të mbrojtur familjet nga çmimi i lartë i energjisë. Sipas Konfindustrisë, një familje shqiptare konsumon më shumë se 800 kilovatë në muaj, sidomos gjatë dimrit, ndaj fasha limit duhet të vendoset në 1200 kilovatë në muaj, në të kundërt 90-130 mijë abonentë do të preken si pasojë e çmimit të lartë të energjisë në treg, bën të ditur “RTSH”.
“Goditje më të fortë do të marrin buxhetet e familjeve me të ardhura të mesme. Njëkohësisht do të preken edhe më tej familjet me të ardhura të ulëta dhe shtresat në nevojë. Ndikimi i buxheteve familjare do të përcillet me pasoja të rënda shtesë te konsumi, bizneset dhe ekonomia kombëtare”,- thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, Konfindustria bën thirrje që të ndërhyhet në sistemin elektrik që të mos ketë më humbje teknike të energjisë dhe të investohet në panele diellore dhe prodhimit të energjisë me erë.
“Niveli i humbjeve teknike dhe jo teknike prej vitesh është mbi 21% të totalit me vlerë mbi 120 milionë euro vit. Shumë pak është bërë në shtimin e shfrytëzimit të prodhimit të energjisë nga burimet diellore, të erës etj. Gjithashtu, në mënyrë të pashpjegueshme TEC- i Vlorës me fuqi afër 100 MGW edhe pas 11 vitesh nuk është në gjendje pune”,- thuhet në njoftimin e Konfindustrisë.
Qeveria ka vendosur që nga 1 tetori, familjet që konsumojnë mbi 800 kilovat në muaj do të paguajnë energjinë elektrike me çmimin e tregut, 42 lekë pa TVSH për çdo kilovat. (Elona)