Dënime më të rënda për shkelësit e ligjit të sigurisë kibernetike
2022-09-21 15:37:19

foto nga VCG

foto nga VCG

Administrata e Hapësirës Kibernetike e Kinës propozoi një sërë ndryshimesh në Ligjin e Sigurisë Kibernetike javën e kaluar që do të rriste masën e gjobave për disa shkelje dhe do të diversifikonte dënimet për shkeljet e kryera nga operatorët e infrastrukturës të informacionit.

Ndër propozimet, administrata sugjeroi që gjoba për operatorët e internetit që nuk marrin masa për të parandaluar viruset kompjuterike ose sulmet në internet, as nuk monitorojnë funksionimin e rrjetit, duhet të rritet nga maksimumi aktual ligjor prej 100.000 juanë (14.371 dollarë) në 1 milion juanë, nëse sjellja e tyre dëmton sigurinë kibernetike, ose ata refuzojnë të korrigjojnë mangësitë pasi janë lajmëruar.

Sipas administratës, nëse situata është jashtëzakonisht serioze, shkelësit mund të gjobiten deri në 50 milionë juanë, ose në një ekuivalente prej 5 për qind të të ardhurave të tyre të vitit të kaluar.

Po ashtu, në njoftimin e Administratës së Hapësirës Kibernetike të Kinës thuhet se dënime të tilla të lidhura me të ardhurat mund të vendosen edhe kundër operatorëve të infrastrukturës kritike që përdorin produkte ose shërbime që nuk i janë nënshtruar rishikimeve të sigurisë.

Gjithashtu, në ndryshimet e ligjit parashikohet që ata që janë përgjegjës për incidentet e sigurisë së rrjetit do të ndalohen të shërbejnë si drejtorë, mbikëqyrës ose drejtues të ndërmarrjeve përkatëse për një periudhë të caktuar, ose do të ndalohen të punojnë në pozicione kritike të menaxhimit ose operimit të rrjetit.

Zuo Xiaodong, profesor në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë të Kinës, përshëndeti gjobat në rritje dhe më të larmishme në amendamentet e propozuara, të cilat janë të hapura për reagime publike deri më 29 shtator.

“Ka shumë lloje të operatorëve të rrjetit, si gjigantët e internetit ashtu edhe kompanitë e vogla që ofrojnë shërbime “online”, por, sipas ligjit aktual, ata duhet të përballen me gjoba të përmasave të ngjashme, ose, në të kundërt gjobat nuk do t’i pengojnë në mënyrë efektive ndërmarrjet në shkallë të gjerë nga shkelje të tilla”,- tha Zuo.

“Shpesh shihet se ndërmarrjet e internetit ose institucionet e hapësirës kibernetike gjobiten për mbrojtje joadekuate të sigurisë kibernetike. Por, në fakt, një arsye kryesore për problemin qëndron në ndërgjegjësimin e pakët të sigurisë së punëdhënësve, kështu që një ndalim nga praktika është gjithashtu i nevojshëm”,- ai tha.

Wang Sixin, profesor i drejtësisë në Universitetin e Komunikimit të Kinës, deklaroi se gjobat më të mëdha do të përbëjnë një kërcënim më të madh për ata që janë të angazhuar në industrinë e internetit, gjë që do t'u thotë atyre t'i kushtojnë më shumë vëmendje sigurisë kibernetike.

Përveç kësaj, gjobat e lidhura me të ardhurat janë përdorur nga Bashkimi Evropian, tha Wang dhe kjo e sjell atë më shumë në përputhje me normat ndërkombëtare.

Ligji i Kinës për Sigurinë Kibernetike, përmbledhja e parë e madhe e rregullave me origjinë kineze, që rregullon ruajtjen dhe transferimin e të dhënave, hyri në fuqi në qershor 2017.

Gjatë viteve të fundit, Kina ka rritur përpjekjet në qeverisjen e hapësirës kibernetike, duke bërë ligje për sigurinë e të dhënave dhe mbrojtjen e informacionit personal dhe gjithashtu duke nxjerrë disa rregullore për rishikimin e sigurisë dhe menaxhimin e aplikacioneve të smartfonëve.