“Fuqia e mprehtë” në ciklin zgjerues të partneriteteve
2022-09-21 16:10:50

Mediat perëndimore dhe organizatat vëzhguese të zhvillimeve gjeopolitike dhe ndërkombëtare në tërësi, duke dashur të karakterizojnë lëvizjet intensive dhe shumëfishimet e takimeve ndërkombëtare të Kinës, shpesh e cilësojnë këtë të fundit, si “fuqi e mprehtë” botërore.

Xinhua

Xinhua

Xinhua

Xinhua

Mjafton të ndjekësh axhendën e forumeve dhe takimeve në nivele ndërrajonale dhe ndërkombëtare të pesë muajve të fundit dhe lehtësisht konstaton se, politika e jashtme kineze dhe kapacitetet partneriale të saj me shtete dhe fuqi rajonale dhe ndërkombëtare, në kontekstin aktual, janë potencuar qartazi. Kjo është një tendencë që secili shtet e dëshiron dhe investohet në planin ndërkombëtar, por në rastin e Kinës, kapacitetet e veta prej fuqie globale, e bëjnë edhe më të dukshme dhe zgjojnë interes më të rëndësishëm shumëpalësh.

Në këtë fokus mund të vendoset edhe organizimi dhe takimet bilaterale në nivele të larta që u zhvilluan përgjatë ditëve të mbledhjes së 22-të të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSH), një forum i rëndësishëm euroaziatik i përqendruar në fushat politike, ekonomike dhe ato të sigurisë.

Takimet e udhëheqësve të shteteve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) dhe nënshkrimi i dokumentit kryesor të samitit, Deklaratës së Samarkandit të Këshillit të Krerëve të Shteteve të OBSh-së, mund të konsiderohen analitikisht si një moment i ri partnerial. Ky partneritet është parë me vëmendje të madhe  dhe ka shtuar interesimin në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë. Nisur dhe nga konteksti gjeopolitik, ku ka ende një vëmendje të madhe për atë çka ndodh dhe vazhdon gjatë, në Ukrainë. Situatë kjo që ka të bëjë me Rusinë, një shtet anëtar i OBSH, dhe që ka shkaktuar qëndrime të ndryshme ndarëse mes fuqive ndërkombëtare, kryesisht me Perëndimin.

nga VCG

nga VCG

nga VCG

nga VCG

Teksti i Deklaratës së Samarkandit merr shkas nga konteksti i aktualitetit ndërkombëtar, duke vënë theksin te fakti se “bota po përballet me sfida dhe kërcënime të shumta drejt një epoke të re ndryshimesh e zhvillimesh të mëdha”. Ky është në fakt një prelud i konfirmimit të vendeve anëtare të OBSH për të vendosur linja të reja bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, sikurse u pretendua gjerësisht edhe nga Kina.

Kina ishte padyshim një nga vendet më aktive dhe më të interesuara për të shpalosur valencën e platformës që paraqet OBSH, kjo edhe për arsyet që theksuam më lart.

Në samit, Presidenti i Kinës u përpoq të paraqiste sipërmarrje konkrete prej vendit të vet për t’u dhënë vendeve në zhvillim ndihmë humanitare me grurë dhe furnizime të tjera. Nisur nga nevojat në treg për shkak të destabilizimit të shumëfishtë të zinxhirëve tregtarë, u vu re dakordësimi për koordinimin drejt zbatimit të deklaratave për ruajtjen e sigurisë energjetike dhe asaj ushqimore.

Në planin praktik, autoriteti qendror i Kinës u përpoq të vinte piketat për domosdoshmërinë e zbatimit të plotë të dokumenteve të bashkëpunimit, duke e bazuar këtë në përpjekjen e saj për të vënë theksin te multilateralizmi dhe konsultimi brenda rendit ndërkombëtar, me OKB-në në qendër.

Një tjetër element që ra në sy, gjithmonë në kuadër të zgjerimit të partneriteteve shumëdimensionale, ishte ftesa drejtuar Iranit për t’iu bashkuar Nismës së Zhvillimit Global, një tjetër format bashkëpunimi të cilin Kina po përpiqet ta zgjerojë me vende të tjera pjesëmarrëse.

Xinhua

Xinhua

Sikurse dhe herët e mëparshme, padyshim që do ketë kuriozitet, por edhe mosbesim për faktin se sa çështjet e trajtuara brenda samitit do të adresohen realisht bashkërisht. Nisur nga ky mosbesim, Kina u përpoq të shtronte për diskutim në tavolinën e gjerë ato çështje të cilat paraqisnin interes më të gjerë brenda grupit dhe për të cilat kishte konsensus. Ndërsa çështjet më kontraverse për pikëpamjen e saj ose të anëtarëve të tjerë, vendosi t’i linte më në hije ose t’i adresonte me vendet e tjera anëtare brenda takimeve bilaterale.

Në deklaratën përfundimtare të samitit, shpaloseshin propozime për rrugë të ndryshme për sigurimin e stabilitetit rajonal, për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, për forcimin e lidhjeve të transportit dhe komunikacionit, duke synuar krijimin e një rendi ndërkombëtar me shumë pole, që sfidon rendin aktual.

Xinhua

 Duket sikur përpjekja për krijimin e bazamenteve më solide në partneritetet ndërmjet vendeve anëtare të OBSH do të thellohet kah këtij objektivi. Koha do tregojë sa efektive do të jetë kjo përpjekje, por ajo që evidentoi samiti i fundit, lidhet me strategjinë e aktorëve më të fuqishëm shtetërorë të kësaj organizate. Ata konfirmuan si në artikulimin e përfaqësuesve në seancat e samitit, ashtu edhe në takimet bilaterale, gatishmërinë e tyre për të zgjeruar bashkësinë dhe për të mbetur tek arkitektura e ruajtjes së rendit ndërkombëtar, me në qendër OKB. Si e tillë kjo strategji,e shfaq rishtazi Kinën si “fuqinë e mprehtë” që dëshiron ciklin zgjeruar të partneriteteve në një perimetër sa më të gjerë vendesh.