Alternativa e zhvillimit përmes Oragnizatës së Bashkëpunimit të Shangait
2022-09-20 18:05:53

Organizata e Bashkëpunimit të Shangait u themelua në vitin 2001 në qytetin metropol të Kinës, Shangai. Kësaj organizate i përkasin si anëtarë me të drejta të plota tetë shtete aziatike, përfshirë Republikën Popullore të Kinës, Indinë, Pakistanin, Kazakistanin, Kirgistanin, Rusinë, Taxhikistanin dhe Uzbekistanin, vende të cilat përfaqësojnë afërsisht 40 përqind të popullsisë së globit tokësor. Nga dhjetori i vitit 2004 kjo organizatë mban statusin e vëzhguesit pranë OKB-së. Bie në sy fakti se pjesëmarrës janë jo vetëm aleatë, por edhe kundërshtarë të gjeopolitikës, si p.sh India dhe Pakistani, ose India dhe Kina!

Sipas statutit të saj, Organizata e Bashkëpunimit e Shangait, ka për qëllim forcimin e besimit midis shteteve anëtare, bashkëpunimin midis këtyre vendeve në rrafshin politik, shkencor e teknik, kulturor, në turizëm, në fushën e ekologjisë, të tregtisë, energjisë dhe të transportit. Veç kësaj në aktin e themelimit të saj thuhet se kjo organizatë bashkëpunon në mbështetje të paqes dhe sigurisë ndërmjet rajoneve dhe aëtarëve të saj, me qëllim zgjidhjen e konflikteve paqësisht dhe garantimin e paqes.

Xinhua

Xinhua

Përveç shteteve anëtare, Organizata për Bashkëpunim e Shangait ka edhe vende e shtete me statusin e pjesëmarrjes në dialog, siç janë Armenia, Azerbajxhani, Kamboxhia, Nepali, Sri Lakna dhe Turqia. Ndër këto vende, Turqia është anëtare e rëndësishme e NATO-s, ndërsa Armenia ka marrëdhënie të veçanta me Francën dhe disa shtete europiane. Ndër vendet anëtare bën përshtypje fakti se India herë ndihet aleate me vendet e Perëndimit e herë tjetër kthehet kundër tij. Po ashtu vendet e Kaukazit, sidomos Azerbajxhani, ndihen më afër Turqisë, sesa Rusisë.

Ndërsa status të vëzhguesit kanë Irani, Mongolia, Afganistani dhe Bjellorusia. Këto vende, përveç Afganistanit, kanë një traditë bashkëpunimi me Rusinë. Madje Irani është aleati më i ngushtë i saj, së bashku me Sirinë! Dhe veç këtyre, Organizata e Bashkëpunimit të Shangait ka edhe vende e organizata të tjera, të cilat kanë marrë pjesë në samite të ndryshme. Por afrimiteti me Rusinë nuk e ka penguar Kinën që të refuzojë anëtarësimin e të tilla vendeve.

  Xinhua

Xinhua

Organizata në fjalë duket ka një ndikim të dukshëm në rajonin e Euro-Azisë, ndikim i cili shtrihet deri në vendet arabe, në Golf dhe Afrikën e Veriut. Partner në bashkëpunim shihet të jetë gjithashtu Egjypti. Por interesant është se Turqia është angazhuar seriozisht në marrëdhëniet e saj me Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait. Në qershor 2012 Turqia u bë partnere në dialogun e saj. Është si të thuash një lloj partneriteti, i cili shoqërohet edhe me angazhime konkrete. P.sh në vitin 2016 Turqia me votat unanime të shteteve anëtare mori kryesimin e Klubit të Energjisë të organizatës dhe gjatë vitit 2017 e mbajti këtë post. Pjesëmarrja e Ankarasë në klubin euro-aziatik të Shangait u kritikua nga autoritet e Bashkimit Europian. Turqia si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE po hidhte një hap tjetër në drejtim të lindjes. Por presidenti Erdogan reagoi, duke përmendur se vendi i tij "është i gatshëm të heqë dorë nga integrimi në BE"! Kjo do të thotë se Ankaraja dëshiron të luajë një rol disi më të pavarur në rajon dhe ka ambicje të ngrihet në pozitat e një fuqie rajonale të pakundërshtueshme!

Ndërkaq është interesante të shihet se cilat janë interesat e katër fuqive bërthamore, të cilat tashmë janë anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait. India dhe Pakistani duan të bëhen pjesë e projekteve të infrastrukturës për të forcuar ekonomitë e tyre në rajon. Me pjesëmarrjen e tyre në këtë organizatë ato zgjerojnë gjithashtu tregtinë me vendet e rajonit deri në Iran dhe në Afganistan. Pakistani ka nënshkruar me Kinën një projekt miliarda dollarësh për korridorin ekonomik (CPEC). Të dy vendet, si India dhe Pakistani, synojnë gjithashtu të rrisin ndikimin e tyre në vendet e Azisë Qendrore, thotë eksperti i Woodrow Wilson Center në Uashington, Michael Kulgelman.

Xinhua

Republika Popullore e Kinës është vendi dominues i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, jo thjesht se kjo organizatë mban emrin e qytetit më të madh kinez, por edhe se potenciali i Kinës është i tillë ndër anëtarët e tjerë të saj. Kina ka një GDP më të madhe sesa të gjitha vendet e tjera anëtare të saj. Ndërkohë Pekini ka projektuar "Korridorin e Mëndafshtë", i cili do të duhet të kaloje në territorin e këtyre vendeve. Dhe për pasojë Kinës i duhet që me patjetër të ndërtojë mekanizma bashkëpunimi në funksion të projekteve të saj madhore.

Ndërsa Rusia nuk le asnjë rast pa shfrytëzuar për të qenë e pranishme në iniciativat euro-aziatike. Ajo themeloi në fillim Unionin Euro-Aziatik me pesë vende anëtare të tij. Edhe pse Kina dhe Rusia shihen si Fuqitë më të rëndësishme pjesëmarrëse, prania e Indisë dhe Pakistanit, si dhe bashkëpunimi me Turqinë e vende të tjera të mëdha, bën që Organizata për Bashkëpunim e Shangait të ruajë ekuilibrat dhe balancat brenda vetes. Ky është kushti themelor i ekzistencës dhe suksesit të saj.

Në Samitin e Uzbekistanit Kina dhe Rusia shfaqën edhe më tej idetë e bashkëpunimit midis tyre. Por sa i përket luftës në Ukrainë u vu re se Republika Popullore e Kinës do të ruajë neutralitetin e saj. Ndërkaq Irani dhe Turqia shprehën dëshirën e tyre që të bëhen anëtare të kësaj organizate. Pranimi i këtyre dy vendeve do ta polarizojë më shumë identitetin e kësaj nisme, sepse përveç Rusisë, Kinës dhe Indisë edhe Turqia do të synojë të nxisë dhe realizojë axhendën e saj brenda kësaj hapësire gjeopolitike.

nga VCG

nga VCG

Ndërkaq thuajse të gjitha vendet pjesëmarrëse në Samitin e Nismës së Shangait në Uzbekistan shprehën ruajtjen e parimit të zgjidhjes së konflikteve përmes mjeteve paqësore. Pra u shprehën kundër luftës dhe konflikteve për arritjen e qëllimeve politike. Sa më shumë të theksohet kjo, aq më shumë stabilitet dhe siguri do të ketë jo vetëm në këtë hapësirë gjeopolitike në euro-azi, por edhe në të gjithë planetin tonë.