Shenzhou 14, kryhet me sukses ecja e dytë hapësinore
2022-09-19 15:44:14

Ecja e dytë hapësinore e ekuipazhit të misionit kozmik Shenzhou 14 u krye fundjavën e kaluar me sukses të plotë tha Huang Weifen, kryedizenjuese e projektit të sistemit të astronautëve të Programit të Fluturimit Hapësinor me Ekuipazh të Kinës.

Astronautë kinezë në ecjen hapësinore(Foto:VCG)

Astronautë kinezë në ecjen hapësinore(Foto:VCG)

Ecja hapësinore filloi në orën 1:35 pasditen e së shtunës sipas kohës së Pekinit, kur taikonauti Cai Xuzhe hapi kapakun e bllokuar me ajër të kabinës së modulit laboratorik Wentian. Deri në orën 3:33 pasdite, Cai dhe komandanti i misionit Chen Dong dolën jashtë stacionit hapësinor. Kolegia e tyre Liu Yang qëndronte brenda modulit kryesor për të mbështetur veprimet e tyre.

Dy astronautët u kthyen në orën 5:47 pas ecjes pesëorëshe në hapësirë, kur Agjencia e Kinës për Fluturim Kozmik me Ekuipazh deklaroi suksesin e kryerjes së misionit.

Ekuipazhi kreu veprime si instalimi i një doreze ndihmëse, e cila mund t'i ndihmojë astronautët të hapin derën e kapakut nga jashtë në rast emergjence dhe pompa shtesë, pajisje të rëndësishme në sistemin e kontrollit termik të stacionit hapësinor.

“I gjithë procesi u zhvillua me sukses”, i tha Huang rrjetit ndërkombëtar televiziv të Kinës CGTN.

“Kemi përmirësuar procesin pas ecjes së parë që u bë më 1 shtator. Këtë herë, këto detyra janë menaxhuar më mirë dhe të gjitha sistemet u bashkërenduan shumë mire, por  dhe efektshmëria është rritur ndjeshëm”, shtoi ajo.

Sipas saj, të gjithë taikonautët kinezë kanë bërë një punë të shkëlqyer në mision, sidomos dy prej tyre, që ishin jashtë kabinës.

Astronautë kinezë në ecjen hapësinore(Foto:VCG)

Astronautë kinezë në ecjen hapësinore(Foto:VCG)

Në ecjen e dytë të së shtunës, astronautët për herë të parë verifikuan aftësinë e shpëtimit jashtë stacionit hapësinor, duke testuar nëse një astronaut mund të shpëtonte një homolog që ishte duke “lundruar lirisht” jashtë mjetit në rast emergjence.

Gjatë këtij misioni të shpëtimit të simuluar, Cai që ishte në ecjen e tij të parë hapësinore, liroi  parmakun jashtë kabinës dhe u “shpëtua” nga astronauti Chen në të njëjtën detyrë.

Sipas shefes së misionit Huang, performanca e Cai-t ishte shumë mbresëlënëse. “Ai ka treguar guxim të jashtëzakonshëm sepse duhet të lironte në hapësirë kozmike parmakun dhe varej krejtësisht mbi kolegun e tij. Kjo kërkoi besim absolut”, tha ajo.

Që nga ecja e parë e kryer nga ekuipazhi i misionit Shenzhou 12  vitin e kaluar, gjashtë ecje të tilla janë praktikuar jashtë stacionit hapësinor të Kinës, me ngritjen e pandërprerë të nivelit të vështirësisë.

“Përveç detyrave të paracaktuara si montimi i stacionit hapësinor, kemi hartuar detyra të vështira të ndryshme, që jo vetëm mund të kontribuojnë në trajnimin e astronautëve, por edhe ndihmojnë në mbledhjen e përvojave dhe të dhënave të vlefshme”, tha Huang.

Për shembull, në ecjet e mëparshme, astronautja Wang Yaping rrinte mbi krahun robotik për të testuar funksionet e tij. Ndërsa, këtë herë u bë prova e shpëtimit jashtë stacionit hapësinor.

Astronautë kinezë në ecjen hapësinore(Foto:VCG)

Astronautë kinezë në ecjen hapësinore(Foto:VCG)

Punët e kryera në dy ecje hapësinore nga ekuipazhi i misionit Shenzhou 14  ishin të shumta, në veçanti e para që ishte më e ngarkuara deri tani.

“Ndërkohë, gjatë qëndrimit në stacionin hapësinor, ata do të mirëpresin modulin laboratorik Mengtian, anijen e transportit Tianzhou 5 dhe kolegët e misionit Shenzhou 15. Ka ende shumë detyra përpara”, theksoi Huang Weifen, kryedizenjuese e projektit të sistemit të astronautëve të Programit të Fluturimit Hapësinor me Ekuipazh të Kinës.(Zhang Yan/Eda)