Organizata e Bashkëpunimit të Shangait në një epokë të re marrëdhëniesh ndërkombëtare
2022-09-19 11:01:20

Në mesin e viteve 1990, kur bota ende po adaptohej me ndryshimet e rënies së Murit të Berlinit dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, në Azi disa shtete kishin ndjerë rrezikun e të ashtuquajturave “tre forcat” sfiduese të kohës: terrorizmin, separatizmin dhe ekstremizmin. Për t’ju kundërvënë këtyre forcave destabilizuese u krijua me vullenet shtetesh individuale Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (OBSh), e cila është një grupim vendesh me një marrëveshje të ndërsjellë sigurie midis Republikës Popullore të Kinës (RPK), Kazakistanit, Kirgistanit, Rusisë dhe Taxhikistanit dhe e formalizuar  në dokumente zyrtare në vitin 2001. Përveç pesë themeluesëve gjatë viteve janë shtuar edhe India, Pakistani dhe Uzbekistani. Deri tani janë edhe katër shtete vëzhguese të interesuara për t'u bërë pjesë e saj në anëtarësimin e plotë (Afganistani, Bjellorusia, Irani dhe Mongolia) dhe gjashtë "Partnerë Dialogu" (Armenia, Azerbajxhani, Kamboxhia, Nepali, Sri Lanka dhe Turqia). Në vitin 2021 u mor vendimi për fillimin e procesit të anëtarësimit të Iranit në OBSh si anëtar dhe Egjipti, Katari si dhe Arabia Saudite u bënë partnerë të dialogut.

Xinhua

Xinhua

OBSh-ja, ka hyrë në dekadën e tretë të ekziztencës dhe është organizata më e madhe rajonale e bashkëpunimit për sa i përket mbulimit gjeografik dhe popullsisë, duke përfshirë tre të pestat e kontinentit Euroaziatik, afërsisht gjysmën e popullsisë botërore dhe më shumë se 30% të PBB-së globale. Në njëzet vitet e fundit, ajo ka promovuar një rrugë bashkëpunimi që i përshtatet realitetit të rajonit, është bërë një stabilizues i kontinentit Euroaziatik dhe ka grumbulluar përvojë të çmuar për vendosjen e një rendi të drejtë dhe të barabartë rajonal dhe ndërkombëtar.

OBSh-ja nën vëzhgimin e pjesës tjetër të botës

Takimi i 22-të i Këshillit të Kryetarëve të Shteteve të OBSh-së u mbajt në qytetin Samarkand,   Uzbekistan më datë 16 shtator. Ky është samiti i parë i liderëve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait ku ata takohen personalisht që nga shpërthimi i COVID-19.

Që pjesa tjetër e botës po vërente me kujdes këte event u pa shumë qartë edhe nga mbulimi mediatik dhe analizat gjeopolitike që iu bë takimit, sidomos në Perëndim. Komuniteti ndërkombëtar është bërë gjithnjë e më i paralizuar nga pamundësia e anëtarëve të tij  për të arritur një konsensus për shkak të dallimeve të tyre politike, dhe Evropa mban barrën më të rëndë pasi është zhytur në konfliktin e Ukrainës ndërkohë që përballet me ndarje sociale dhe vështirësi ekonomike.

Xinhua

Xinhua

Sekretari i Përgjithshëm i OBSh-së Zhang Ming u shpreh se ka një radhë të gjatë shtetesh jashtë dyerve të OBSh-së dhe kjo nuk është metaforë e ekzagjeruar. Ndryshimet e thella globale që po dëshmojnë  anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare, presin një lloj të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare, të bazuara në respektin, barazinë dhe përfitimin e ndërsjellë. OBSh-ja është një gjë e rrallë në botën e sotme. Bloomberg e përshkruan samitin si një “mundësi për t'u lidhur me një grup vendesh që shihen si përgjigje e rajonit ndaj aleancave të udhëhequra nga perëndimi”.

Samiti i 16 shtatorit miratoi më shumë se 40 dokumente që mbulojnë fusha si ekonomia, financat, shkenca dhe teknologjia, kultura dhe shkëmbimet mes njerëzve, ndërtimi i institucioneve dhe ndërveprimet e jashtme. Ky intensitet në dokumente dhe shtete pjesëmarrëse tregon plotësisht se OBSh-ja nuk është një "klikë e vogël" e mbyllur dhe ekskluzive, por një "familje e madhe" e hapur dhe gjithëpërfshirëse – komentoi Ministri i Punëve të jashtmë të Kinës, Wang Yi.

Presidenti Xi Jinping në takimin e OBSh-së dhe roli i Kinës

Në një udhëtim të ngjeshur prej tre ditësh e dy netësh, Presidenti Xi fluturoi për në Nur-Sulltan dhe Samarkand, qëndroi për 48 orë dhe ndoqi intensivisht afro 30 evente e takime, duke shfaqur axhenda shumëpalëshe dhe dypalëshe dhe duke mbuluar çështjet e sigurisë dhe zhvillimit. Ky është udhëtimi i parë ndërkombëtar që presidenti i Kinës ka bërë që pas shpërthimit të pandemisë dhe sigurisht ka marrë shumë vëmendje. Ky udhëtim vjen në një kohë jo të lehtë bashkëpunimi ndërkombëtar, veçanërisht për çështjet kritike të cilat janë bërë si pazare dhe sakrifica të konflikteve.

Xinhua

Xinhua

“Bota jonë sot po kalon ndryshime të përshpejtuara, të papara në një shekull dhe ajo ka hyrë në një fazë të re pasigurie dhe transformimi”, tha presidenti kinez në takim. Më tej Presidenti Xi u ka bëri thirrje vendeve të OBSh-së që të forcojnë solidaritetin dhe bashkëpunimin mes ndryshimeve të paqëndrueshme në peizazhin ndërkombëtar, të mbështesin multilateralizmin e vërtetë dhe të punojnë së bashku për të përmirësuar qeverisjen globale, për të siguruar që rendi ndërkombëtar të jetë më i drejtë dhe më i balancuar. “Ne bashkërisht duhet të kundërshtojmë ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera nën çdo pretekst dhe të mbajmë të ardhmen në duart tona...Obsesioni për të formuar një rreth të vogël mund ta shtyjë botën vetëm drejt ndarjes dhe konfrontimit," tha Xi.

Më tej, presidenti i Kinës u shpreh se OBSh-ja ka arritur të eksplorojë një rrugë të re për zhvillimin e organizatave ndërkombëtare dhe ka shumë për të nxjerrë nga praktikat e saj, bazuar në pesë pika që mishërojnë plotësisht Frymën e Shangait, domethënë besimin reciprok, përfitimin reciprok, barazinë, konsultimin, respektin për diversitetin e qytetërimeve dhe ndjekjen e zhvillimit të përbashkët.

Cili është mesazhi i thellë i Presidentit Xi Jinping në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit në pothuajse 1000 ditë? - Ky udhëtim tregon rëndësinë e madhe që Kina i kushton OBSh-së dhe marrëdhënieve me vendet e tjera edhe sepse midis vendeve anëtare të OBSh-së, ekziston një rrjet kompleks i marrëdhënieve dhe interesave gjeopolitike. OBSh-ja përmbledh më së miri tre iniciativat kryesore ndërkombëtare të Presidentit Xi, nismën “Një brez, një rrugë”, Iniciativën e Zhvillimit Global dhe Iniciativën e Sigurisë Globale.

Në fjalimin e tij në këtë samit ai ofroi vizionin e tij të qartë dhe konciz të perspektivës ndërkombëtare të Kinës. Duke dhënë një artikulim të “mendimit të Xi Jinping” për diplomacinë, duke e inkuadruar fjalimin e tij në kuptimin që shoqëria njerëzore është në një udhëkryq, është duke pësuar ndryshime të përshpejtuara, është duke hyrë në një fazë të re pasigurie dhe është duke u përballur me sfida të paprecedentë. Presidenti Xi theksoi nevojën për angazhim proaktiv dhe për rolin qendror të OBSh-së duke e konsideruar atë si organ tepër të rëndësishëm për të kontribuar në paqen dhe zhvillimin global dhe rajonal, veçanërisht duke pasur parasysh peizazhin e trazuar ndërkombëtar, të përkeqësuara nga konflikti në Ukrainë.

Xinhua

Xinhua

Vetë Xi kishte një axhendë te shumë gjerë, duke filluar nga zhvillimi rajonal deri te qeverisja globale. Ai theksoi se ruajtja e paqes dhe zhvillimi i kontinentit Euroaziatik është synimi i përbashkët i vendeve në rajon dhe në botë në përgjithësi dhe OBSh-ja mban një përgjegjësi të rëndësishme në përmbushjen e këtij qëllimi duke aktualizuar vizionin e tij.

Vërehet se presidenti Xi po bën një udhëtim diplomatik të profilit të lartë pak para Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës (PKK), i cili do të përcaktojë politikat e vendit për të paktën 5, dhe ndoshta për 15 vitet e ardhshme të Kinës. Kjo i shton impakt të mëtejshëm këtij mesazhi, se gjeopolitika është në gjendje të ndryshimit të vazhdueshëm, dhe se Kina po kalon në qendër të skenës në atë që e sheh si një rend të ri botëror multipolar, dhe se Presidenti Xi po fokusohet në një komunitet ndërkombëtar me një të ardhme të përbashkët për gjithë njerëzimin

Së fundmi, bota e kohëve tona po jeton me një deficit të madh besimi dhe po ndahet gjithnjë e më shumë nga ideologjia. Problemet me të cilat të gjithë po përballemi me në krye vështirësitë ekonomike nuk mund të zgjidhen duke mbetur në baza teorike dhe pyetje se çfarë janë vlerat, por aksione konkrete bashkëpunimi dhe zgjidhje në nivel global të krizave të kohës.

Xinhua

Xinhua

Dr. Marsela Musabelliu