Udhëheqësit globalë marrin pjesë në funeralin shtetëror të mbretëreshës Elizabeth II
2022-09-19 20:51:26

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Dhjetëra mijë njerëz u rreshtuan në rrugët e Londrës për funeralin shtetëror të mbretëreshës Elizabeth II, ndërsa miliarda veta në mbarë botën e kanë ndjekur këtë ngjarje në televizor. Monarkja më jetëgjatë në historinë e Mbretërisë së Bashkuar ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare, më 8 shtator, në rezidencën e saj verore në Skoci.

Mbi 2000 mysafirë u  ftuan të marrin pjesë në funeral, duke përfshirë Princin e Kurorës të Kuvajtit, Sheikh Meshal al-Ahmad al-Sabah, dhe liderë botërorë, si presidenti amerikan Joe Biden, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg etj.

Zëvendëspresidenti i Kinës Wang Qishan ishte gjithashtu i pranishëm në funeral, bashkë me përfaqësues të tjerë të politikës globale, duke përfshirë Emmanuel Macron dhe Ursula von der Leyen.

Djali dhe pasuesi i mbretëreshës Elizabeth II, mbreti Çarls III, i veshur me uniformë ushtarake ceremoniale, ndoqi procesionin solemn, së bashku me tre vëllezërit e motrat e tij.

Kryepeshkopi i Kantërberit, Justin Welby, vlerësoi jetën në detyrë dhe shërbimin e mbretëreshës ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe Komunuelthit Britanik.

"Njerëzit që shërbejnë me dashuri janë të rrallë në çdo fushë të jetës. Udhëheqësit që shërbejnë me dashuri janë gjithashtu të rrallë. Por në çdo rast, ata që shërbejnë do të dashurohen dhe kujtohen, ndërsa ata që kapen pas pushtetit dhe privilegjeve harrohen," tha ai në funeral. (Fani/Artan)