“Marrëdhëniet shqiptaro-kineze në Luftën e Ftohtë 1956-1978”, një studim i ri nga Dr. shk. Gjon Boriçi
2022-09-16 13:11:27

Studjuesi Gjon Boriçi në intervistë për CMG

Një studim i përditësuar për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kinës gjatë epokës së Luftës së Ftohtë i shtohet studimeve mbi gjysmëshekullore për këto marrëdhënie.

“Marrëdhëniet shqiptaro-kineze në Luftën e Ftohtë 1956-1978” me autor dr. e shkencave historike Gjon Boriçi, botim i Akademisë së Studimeve Albanologjike pranë Intitutit të Historisë në Tiranë, është një prurje e re me fokus këto marrëdhënie.

CMG: Botimet për marrëdhëniet shqiptaro-kineze në epokën e Luftës së Ftohtë nuk janë të shumta. Ky studim përmbledh një periudhë 22 vjepare të këtyre marrëdhënieve. Si ju lindi ideja për të ndërmarrë këtë studim?

Dr, shk.Gjon Boriçi: Marrëdhëniet shqiptaro-kineze kam filluar t’i studjoj intensivisht para 11 vitesh. Është e vërtetë se ka patur një boshllëk përsa i përket njohurisë së marrëdhënieve të Shqipërisë me këtë vend të madh dhe për arsyen se dokumentacioni arkivor historik ka qenë për shumë vite i paaksesueshëm dhe për një fakt të thjeshtë se këto marrëdhënie kanë qenë shumë sensitive. Ka qenë një marrëdhënie e jashtëzakonëshme në kufijtë e surreales. Edhe në botëkuptimin e perëndimorëve dhe të vendeve lindore të ish kampit socialist së asaj kohe ku bënte pjesë dhe Shqipëria deri sa u prishën marrëdhëniet me ish Bashkimin Sovjetik dhe Kina zëvendësoi çdo partner të mundshëm politik dhe tregtar të Shqipërisë deri sa dhe marrëdhëniet me Kinën patën një fund jo të mirë.

CMG: Nëse do t’i referohemi viteve, që përmban dhe titulli i studimit tuaj, 1956-1978, dihet se 1978 shënon ndërprerjen e marrëdhënieve midis dy vendeve, po viti 1956?

Dr. shk. Gjon Boriçi: Viti 1956 në këtë studim është marrë si një pikë referimi për një vit shumë domethënës në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos për Bllokun Lindor për kampin socialist të asaj kohe. Ky është një vit që shënoi disa ngjarje shumë të rëndësishme të cilat  treguan se kampi socialist i drejtuar nga ish Bashkimi Sovjetik nuk ishte monoliti i jashtëzakonshëm që propagandohej në marrëdhëniet ndërkombëtare, por ishte një kamp me dritëhije të mëdha dhe ish Bashkimi Sovjetik nuk mund ta mbante rreth vetes unitetin e këtij kampi. Janë katër ngjarje sa i përket Bllokut Lindor që ndodhën në vitin 1956.

Së pari, ishte Kongresi i 20-të i Partisë Komuniste të ish Bashkimit Sovjetik, në të cilin në muajin shkurt Nikita Hrushov, lideri i ri  pas Stalinit denoncoi kultin e individit të Stalinit, krimet dhe filloi një periudhë ndryshimi në marrëdhëniet edhe me Perëndimin.

CMG: Sepse u shfaq si një lider më i moderur, krahasuar me parardhësin

Dr.shk.Gjon Boriçi: U shfaq më i moderuar siç e kam theksuar dhe në libër, por brenda ish Bashkimit Sovjetik dhe jo në marrëdhëniet ndërkombëtare. Shqipëria, duke qenë se ishte totalisht e varur nga ndihmat dhe kreditë që merrte nga ish Bashkimi Sovjetik, por dhe nga vendet e tjera të ish kampit socialist, nuk mund ta sfidonte politikën e kundërshtimit ndaj kultit të individit, por këtu kemi të bëjmë me një dallim shumë të madh. Nëse Nikita Hrushovi guxoi ta denonconte kultin e Stalinit pasi ky i fundit kishte vdekur dhe ai kishte marrë krerët e pushtetit, në Shqipëri nuk mund të ndodhte një gjë e tillë sepse do të ishte e paimagjinueshme që Enver Hoxha të merrte një iniciativë të tillë duke sulmuar veten apo të quante të gabuara politikat e tij.

Janë dhe dy ngjarje të tjera të mëdha që ndodhën në vitin 1956. Bëhet fjalë për “Tetorin polak” kur Hrushovi shkoi për vizitë në Poloni dhe e kërcënoi këtë vend deri edhe me shfarosje atomike, si dhe kriza e madhe hungareze, e cila përfundoi me rrafshimin e Budapestit nga tanket sovjetike në nëntor 1956.

CMG: Po në lidhje me marrëdhëniet shqiptaro-kineze çfarë shënon viti 1956?

Dr. shk. Gjon Boriçi: Enver Hoxha e kuptoi fare mirë që me ish Bashkimin Sovjetik ishin të numëruara ditët e marrëdhënies së ngushtë dhe për të mbajtur pushtetin i duhet një strehë e re, një vend po aq i fuqishëm që mund të ndihmonte në ndihma dhe kredi në mënyrë që të mund të mbante në këmbë pushtetin e vet. Kush më mirë se sa Kina, edhe pse ishte gjeografikisht mijëra kilometra larg. Ka dhe një faktor tjetër, që pas vitit 1957 marrëdhëniet midis R.P të Kinës dhe ish Bashkimit Sovjetik ishin të acarta, që do të thotë se vetë Kina e kryetarit Mao kërkonte të merrte një vend lider në lëvizjen komuniste ndërkombëtare, gjë që pengohej nga ish Bashkimi Sovjetik.

Enver Hoxha e shfrytëzoi mjaft mirë këtë situatë, sepse e kuptoi problematikën e mosmarrëveshjeve ndërmjet ish Bashkimit Sovjetik dhe Kinës dhe priti momentin e duhur kur kjo çarje e marrëdhënieve kino-sovjetike të bëhej më e dukshme dhe kjo ndodhi në vitin 1960 në Mbledhjen e Partive Punëtore Komuniste që u zhvillua në Bukuresht. Në këtë takim Enver Hoxha mbajti haptas anën e Republikës Popullore të Kinës në përplasjen politike që ndodhi mes saj dhe ish Bashkimit Sovjetik.

Studimi i historianit Gjon Boriçi (Foto CMG)

CMG: Sa kapituj ka ky studim dhe ku fokusohet? Kapitujt janë të ndarë sa  i përket sferës politike, ekonomike, ushtarake dhe kulturore ?

Dr. shk. Gjon Boriçi: Unë në fakt kam një projekt personal i cili do të merret në një mënyrë shumë më të gjerë se sa ky libër me marrëdhëniet shqiptaro-kineze. Tani në proces është një libër i ri për këto marrëdhënie dhe fillon nga viti 1954, që është viti i ndihmës së parë të madhe, kredisë së parë ekonomike dhënë nga R.P e Kinës Shqipërisë.

CMG: Ky fakt përfshihet në studimin për të cilin po flasim sot?

Dr.shk.Gjon Boriçi: Në këtë libër është vetëm një pasazh që i referohet kredive që Kina i ka akorduar Shqipërisë nga viti 1954 deri në vitin 1975. Ky libër ka 6 kapituj të mëdhenj ku janë të përfshirë dhe hyrja dhe konkluzionet përkatëse pa të cilat një vepër shkencore nuk mund të quhet e plotë. Në çdo kapitull i kam qëndruar shumë besnik kronologjisë, nuk kam tejkaluar vitet. Është një studim i përmbledhur gjërat kryesore sepse kam një projekt tjetër që do të përfshijë disa vëllime shumë më specifike përsa i përket të gjithë harkut kohor 1954-1985 sa i përket marrëdhënieve shqiptaro-kineze.

Në këtë studim jam fokusuar më shumë te një ndërthurje e marrëdhënieve politike, ekonomike dhe ushtarake, të cilat ishin shumë prezente në Shqipëri dhe ka qenë një ndihmë kolosale me të cilën Kina  ka ndihmuar Shqipërinë gjatë gjithë kësaj periudhe 22 vjeçare.

Viti 1954 është shumë specifik për historinë e Shqipërisë  sepse nga ish Bashkimi Sovjetik Enver Hoxha u detyrua të japë dorëheqjen si kryeministër i vendit dhe atëherë ai filloi të mendonte se do t’i duhej një mbrojtje e re kur marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe ish Bashkimit Sovjetik nuk do të ishin ato që kanë qenë.

CMG: Janë 6 kapituj të këtij studimi dhe sa nënkapituj? Në cilat burime jeni mbështetur për studimin?

Dr.shk Gjon Boriçi: Janë 30 nënkapituj. Burimet janë shumica nga arkivat shqiptare.Ka qenë jo e mundur për mua kur isha në Kinë të hulumtoja arkivin sepse ishte i mbyllur në atë kohë. Një pjesë e rëndësishme e librit i referohet studimeve ndërkombëtare të autorëve të njohur, historianë, ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare që janë marrë me këtë perudhë. Këto më janë dashur më së shumti për të bërë dhe një krahasim mes asaj se çfarë ka paraqitur Arkivi Shqiptar për marrëdhëniet me Kinën dhe si janë trajtuar marrëdhëniet shqiptaro-kineze nga burime të tjera.

Kjo më ka ndihmuar jo pak për të qenë më me këmbë në tokë përsa i përket marrëdhënieve shqiptaro-kineze sepse është spekulluar jo pak. Gjërat janë të sakta kur ke dokumentet në dorë, sepse ato e tregojnë vërtetësinë e një fakti, apo një ndodhie.

Fatkeqësisht në vendin tonë jo pak herë është spekulluar me historinë dhe është tjetërsuar historia sepse nuk kanë patur njohuri, arkivat kanë qenë të paaksesueshëm deri para pak vitesh, por duhet të jemi shumë të qartë aq më tepër kur i drejtohemi një audience të gjerë sa i përket një situate të caktuar, siç ka qenë marrëdhënia e Shqipërisë me Kinën.

Unë jam përpjekur të jem sa më luajal për të cituar me besnikëri çdo lloj materiali arkivor, të cilin kam arritur ta gjej dhe kanë qenë 5 fonde të mëdha arkivore nga Arkivi Qendror i Shtetit dhe ai i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Janë mijëra citime përsa i përket marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kinës dhe është një punë që më ka zgjatur 5 vjet. Ky studim është një punë më e plotësuar se botimi i parë dhe i përditësuar sepse edhe tani kam gjetur dokumente britanike dhe përditësimi nuk mbaron.

 

 

CMG: A sjell fakte të reja, të panjohura më parë ky studim?

Dr, shk. Gjon Boriçi: Patjetër. Edhe me kolegët që kam biseduar apo kush e ka lexuar librin më parë ka patur shumë gjëra të panjohura. Edhe ne vetë kur kemi qenë studentë të historisë nuk kemi patur njohur të tilla sa i përket marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën. Përveç mbylljes së arkivave ishte mentaliteti që historia është ajo që ka qenë, zyrtarja, por në fakt historia e vërtetë është ajo që gjendet në arkiva. Ne duhet të jemi të ndershëm si studjues, si historianë profesionistë për të treguar të vërtetën objektive sipas dokumenteve, pa hequr dhe pa shtuar asgjë.

Nëse shohim historinë e Shqipërisë në kohën e mëparshme për dështimet e Shqipërisë gjithmonë i është hedhur faji të tjerëve, por nuk ka qenë kështu. Në dokumentet që kam gjetur tregohet se qoftë në marrëdhëniet me ish Bashkimin Sovjetik, me R.P të Kinës, por dhe me vendet e tjera të ish kampit socialist, për të cilat do të dalë një studim i veçantë, Shqipëria ka gabuar jashtëzakonisht shumë. Politika shqiptare ka gabuar shumë sepse ka qenë një politikë aspak pragmatiste, nuk ka ditur të kalkulojë as fuqitë e veta dhe u zhyt në borxhe të jashtëzakonëshme të cilat e rënduar edhe më tepër ekonominë shqiptare duke e futur në një qerthull nga i cili ndoshta edhe sot nuk kemi dalë plotësisht.

CMG: Studimi për kë ka vlerë për t’u lexuar?

Dr,shk. Gjon Boriçi: Edhe kolegë nga Ministria e Punëve të Jashtme e kanë mirëpritur sepse u është dashur për punën e tyre dhe sigurisht kolegët e mi të Institutit të Historisë, që merren me studimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Është mirëpritur si një studim që nuk ka qenë më parë. Kam pranuar sugjerimet, vërejtjet e kolegëve që me shumë dashamirësi më kanë thënë se çfarë duhet të përmirësoja nga botimi i parë tek i dyti,sepse libri është shkruar gati në 80 për qind të tij nga e para. Dokumentet “nuk na lenë të flemë natën”, për të qenë sa më objektivë. Studimi besoj se është një ndihmesë e mirë sa i përket objektivitetit të historisë së Shqipërisë, marrëdhënieve ndërkombëtare sepse në epokën e Luftës së Ftohtë Shqipëria ishte një vend i izoluar dhe dritarja me botën ishte vetëm kur ajo ishte pjesë e kampit socialist me ish Bashkimin Sovjetik dhe më pas me R.P të Kinës me këtë marrëdhënie tepër të veçantë.

Të mos harrojmë se Shqipëria ishte zëri i Kinës në OKB  kur Kina nuk ishte pjesë e kësaj organizate dhe nuk njihej ndërkombëtarisht. Ka qenë një marrëdhënie që Kina ndihmonte jashtëzakonisht shumë ekonomikisht Shqipërinë dhe Shqipëria përgjatë gjithë viteve 60-të deri në vitin 1971 kur u paraqit e famshmja Rezolutë e saj për pranimin e Kinës në OKB.

CMG: Vihet re një prirje e lexuesit shqiptar ndaj studimeve historike, jo vetëm për historinë e Shqipërisë, por dhe të botës. Mendoni që në një librari ky studim i juaji do të ngjallë interes për t’u lexuar?

Dr.shk. Gjon Boriçi: Këtë nuk mund ta di, por ky është një libër shumë specifik që nuk i përket lexuesit të gjerë. Brenda tij nuk ka histori rozë apo hartime, por është një libër profesional që tërheq një lexues të caktuar. Por kush ka dëshirë për të mësua rreth kësaj marrëdhënie mund ta marrë, ndonëse libr i drejtohet një audience të caktuar.

CMG: Mendoni se studjues homologë tuajt në Ballkan, Europë e më gjerë kanë treguar interes për këtë studim?

Dr,shk. Gjon Boriçi: Më kanë shkruar shumë. I kanë ndihmuar shumë studjuesit e huaj disa prej artikujve të mi për Kinën, të cilët janë në gjuhën angleze dhe flasin për historinë e Shqipërisë në periudhën e Luftës së Ftohtë. Besoj se studimi do të ngjallte më shumë interes nëse do të përkthehej në anglisht si një avantazh për ta bërë më të njohur Shqipërinë gjatë kësaj epoke historike. Në shumë konferenca që kam marrë pjesë lidhur me marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë gjatë Luftës së Ftohtë shikoj që ka shumë pak njohuri nga homologët tanë në vendet e tjera. Tani që jemi në epokën globale është mirë që t’i drejtohemi botës me gjuhë ndërkombëtare dhe nuk duhet të kemi frikë nga përballja. Është një botë në ecje të shpejtë dhe ne duhet t’i përshtatemi këtij ritmi, përndryshe dhe shkenca jonë në çdo lloj fushe do të mbetet mbrapa.

Është mirë të përballemi edhe nëse e kaluara jonë nuk është “baçja me lule”, siç është paraqitur më parë. Vetëm duke përmirësuar veten, duke njohur me detaje aq sa mundemi të kaluarën, do të mund të mund të përgatisim më mirë të ardhmen

CMG: Me çfarë po  merreni momentalisht? Cili është studimi i pritshëm nga ju?

Dr. shk. Gjon Boriçi:Studimi që pritet të dalë në fillim të vitit të vjen do të jetë mbi fillimin e marrëdhënieve politiko-ekonomike shqiptaro-kineze 1954-1960, që do të jetë vëllimi i parë i një kolane të gjatë studimore sa i përket këtyre marrëdhënieve. Do të paraqes disa të vërteta që kanë qenë të fshehura për shumë kohë për popullin shqiptar dhe opinionin publik

CMG: Ju keni një studim preferencial për marrëdhëniet midis Shqipërisë me Kinën?

Dr. shk. Gjon Boriçi: Historia gjithmonë më befason sepse ka fakte, njohuri, aq më tepër marrëdhënia me Kinën ka habitur dhe botën. Një vend i vogël si Shqipëria në Ballkanin Perëndimor dhe Kina një vend gjigant sa herë hulumtoj dokumentet arkivore, që janë me mijëra e kam si një sfidë personale për të bërë diçka që nuk ishte bërë më parë dhe ishte një terren i pashkelur. Kam diskutuar me kolegë me profesorët e mi të nderuar që më kanë thënë të kem kujdes se po hyj  në terrenin problematik të marrëdhënieve të Shqipërisë gjatë Luftës së Ftohtë. Nga hulumtimet me orë të tëra kam hasur në fakte dhe ngjarje që nuk kisha menduar se ekzistonin dhe e gjithë kjo punë e mund mendoj t’i jepet studjuesve, studentëve, kolegëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme për të kuptuar se si mund të menaxhohet një situatë, një marrëdhënie aq më tepër kur ka një disbalancë të jashtëzakonëshme në rastin konkret në marrëdhëniet shqiptaro-kineze.

Shqipëria duhet të ketë mirënjohje ndaj R.P të Kinës për ndihmat e panumërta që ka sjellë dhe duke studjuar faktet e historisë duhet të na ndihmojnë që të mos përsëriten gabimet e të shkuarës në të tashmen dhe aq më pak në të ardhmen.


Intervistoi Eda Merepeza