Pse makinat elektrike kineze janë kaq të njohura në Izrael
2022-09-16 15:39:53

Makina elektrike “Geometry C”, e prodhuesit kinez të automobilave “Geely Auto Group” u bë modeli më i shitur i automjeteve në Izrael në gusht, duke shënuar herën e parë që një makinë elektrike kryeson listën mujore të të gjitha modeleve të automjeteve të shitura në vend, sipas shifrave të publikuara së fundmi nga Shoqata e Importuesve të Automjeteve të Izraelit. Kjo nuk ishte befasi. Me pamje elegante, çmime të arsyeshme dhe konsum të ulët të energjisë, “Geometry C” arriti pothuajse 22 për qind të tregut total të automjeteve elektrike të Izraelit në gjysmën e parë të vitit 2022 dhe u nominua gjithashtu nga “Auto”, revista kryesore izraelite e makinave, si fituese në kategorinë "Blerja më e mirë e vitit”.

Foto:VCG

Foto:VCG

 "Makina mund të udhëtojë deri në 460 km me një karikim, largësia më e madhe e çdo automjeti elektrik në vend",- raportoi “Jerusalem Post” kur modeli kinez ishte gati të hynte në Izrael në korrik 2021.

Një total prej 10,460 makinash elektrike u janë dorëzuar klientëve në Izrael deri në fund të korrikut, një numër 70 për qind më i lartë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndër  më të shiturat ishte ende “Geometry C”. Performanca mbresëlënëse e modelit është mishërimi i momentit të fortë të të paktën 10 markave kineze të makinave elektrike në tregun izraelit, duke përfshirë “Hongqi”, “BYD”, “Weilai”, “Skyworth” dhe “Great Wall”.

Si një territor relativisht i vogël, me një popullsi të dendur, Izraeli besohet të ketë potencial të konsiderueshëm për të përqafuar automjetet elektrike.

Foto:VCG

Foto:VCG

“Izraeli ka burimet e veta të gazit natyror, çmime relativisht të ulëta të energjisë elektrike dhe çmime të larta të karburantit, që mund ta shtyjnë tregun të adaptojë automjete elektrike të bazuara në energjinë elektrike të prodhuar nga gazi natyror",- tha analisti ekonomik izraelit Michal Reut-Gelbart, duke vënë në dukje se çmimet e baterive të makinave elektrike kanë rënë me 70 për qind në vend gjatë shtatë viteve të fundit.

Izraeli njihet gjithashtu si një vend që tenton të adaptojë teknologjinë dhe inovacionin, të cilat mund të ndihmojnë në kalimin në transportin elektrik, shtoi Reut-Gelbart, i cili ka punuar në sektorin e buxhetit të Ministrisë izraelite të Financave.

Interesi për makinat elektrike është rritur në Izrael që nga hyrja e “Tesla”-s në tregun e saj në shkurt 2021. Modele të tjera të makinave elektrike, veçanërisht ato të prodhuara nga prodhuesit kinezë të automjeteve, shpejt bënë përparime të mëdha. Në vitin 2019 kishte vetëm 12 modele makinash elektrike në Izrael, ndërsa tani numri i opsioneve për konsumatorët izraelitë është dyfishuar me marka dhe çmime të ndryshme.

Ashtu si shumë të tjerë, qeveria izraelite ka zbatuar politika për të inkurajuar publikun të përdorë makinat elektrike, duke shpresuar të ulë kostot dhe emetimet.

Në tetor 2021, ish-kryeministri Naftali Bennett njoftoi se Izraeli kishte vendosur një objektiv për emetimet neto zero deri në vitin 2050. Një plan i hartuar nga Ministria izraelite e Energjisë premton se nga viti 2030, Izraeli do të ndalojë plotësisht importin e automjeteve me benzinë dhe naftë dhe importi i makinave do të kufizohet në automjete elektrike ose me gaz natyror.

Tome Hadar, redaktori i “Calcalist”, gazeta më e madhe financiare e Izraelit, i tha “Xinhua”-s se niveli i taksave gjithashtu shpjegon se pse automjetet elektrike janë me potencial të madh në Izrael.

"Aktualisht në tregun izraelit, blerësit e makinave elektrike po gëzojnë një taksë blerjeje prej 10 për qind, e cila është shumë më e ulët se taksa për makinat e zakonshme me gaz që shkon deri në 83 për qind",- tha ai.

Kohët e fundit, kinezja “Leapmotor T03” e bëri Izraelin destinacionin e parë të eksportit.

"Kina mbetet lojtari kryesor global në industrinë e baterive",- thuhet në një raport të publikuar nga Instituti për Studimet e Sigurisë Kombëtare të Izraelit, duke vënë në dukje se teknologjitë e reja të Kinës për karikim të shpejtë mund të kontribuojnë shumë në industri.

“Sot mbi 76 për qind e prodhimit global e ka origjinën në Kinë dhe, deri tani, Perëndimi nuk është në gjendje të mbyllë hendekun”,- shtoi raporti.