Kinë-Mongoli, bashkëpunim për nismën "Një brez, një rrugë" dhe strategjinë "Rruga e prerisë"
2022-09-16 11:54:13

Kina dhe Mongolia u zotuan për bashkëpunim ekonomik lidhur me nismën "Një brez, një rrugë" dhe strategjinë e zhvillimit "Rruga e prerisë" gjatë takimit të presidentit kinez Xi Jinping me homologun e tij mongol Ukhnaa Khurelsukh në Samarkand të Uzbekistanit të enjten.

Presidenti Xi u shpreh se Kina do të përmirësojë ndërlidhjen mes të dy vendeve për sa i përket nismës "Një brez, një rrugë" dhe strategjisë së zhvillimit "Rruga e prerisë", duke nxitur po ashtu ndërtimin e korridorit ekonomik Kinë-Mongoli-Rusi.

Në vitin 2013, kreu i shtetit i Kinës propozoi nismën "Një brez, një rrugë" për të përmirësuar ndërlidhshmërinë rajonale dhe integrimin ekonomik. Strategjia e zhvillimit "Rruga e prerisë", një plan ekonomik i shpallur nga Mongolia, synon të nxisë tregtinë me tregjet fqinje.

Duke nënvizuar rëndësinë e nismave të zhvillimit dhe sigurisë globale, Xi shprehu gatishmërinë për të mbështetur rritjen ekonomike të Mongolisë.

Ai tha se Kina mbështet planin e Mongolisë të "Mbjelljes së një miliardë pemëve" dhe do të bashkëpunojë në mënyrë aktive me palën mongole për të luftuar shkretëtirëzimin.

Presidenti i Mongolisë Ukhnaa Khurelsukh tha se vendi i tij do të  nxisë bashkëpunimin me Kinën në fushat e tregtisë, hekurudhave dhe mjedisit.

Ndërsa presidenti Xi tha gjithashtu se Kina do të forcojë miqësinë tradicionale me Mongolinë, do të zgjerojë bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë për të ngritur në nivel të ri partneritetin e gjithanshëm strategjik kino-mongol, si edhe do të shtojë shkëmbimin e përvojës me Mongolinë në fushën e qeverisjes.

Khurelsukh tha se partneriteti i gjithanshëm strategjik ndërmjet dy vendeve është një marrëdhënie model, ndërsa miqësia tradicionale mes tyre ka qenë e fortë.

Ai e falënderoi gjithashtu Kinën për ndihmën në luftën kundër pandemisë së COVID-19, duke e cilësuar atë një kontribut të madh në mbrojtjen e shëndetit të njerëzve në Mongoli.

Mongolia i përmbahet në mënyrë të vendosur politikës së "Një Kine" dhe kundërshton me vendosmëri ndërhyrjen e çdo vendi në punët e brendshme të Kinës, pasi çështjet që lidhen me rajonin e Tajvanit, Xinjiang-un dhe Tibetin janë punë të brendshme të Kinës, vuri në dukje kreu i shtetit i Mongolisë. (Çang Çuo)