Xi: Kina, e gatshme të punojë me Turqinë për ta ngritur bashkëpunimin dypalësh në nivel më të lartë
2022-09-16 18:41:42

foto/Xinhua

foto/Xinhua

Gjatë takimit me homologun e tij turk Rexhep Taip Erdogan të premten në Samarkand të Uzbekistanit, presidenti kinez Xi Jinping vuri në dukje se vitet e fundit Kina dhe Turqia kanë ruajtur vrullin e zhvillimit, duke nxitur në mënyrë të qëndrueshme bashkëpunimin pragmatik dhe duke arritur rezultate në bashkëpunimin kundër epidemisë. Faktet kanë treguar se zhvillimi i marrëdhënieve kino-turke është përputhje me interesat afatgjatë të të dy vendeve dhe ka një rëndësi të madhe për thellimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit e të solidaritetit ndërmjet vendeve në zhvillim. Aktualisht, bashkësia ndërkombëtare përballon mundësi e sfida të shumta. Kina dhe Turqia janë të dyja vende të mëdha në zhvillim e tregje të reja, kanë interesa të përbashkët në mbrojtjen e të drejtave të tyre, synojnë përtëritjen e zhvillimin dhe ruajnë drejtësinë ndërkombëtare. Pala kineze është e gatshme për të nxitur së bashku me palën turke ngritjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit strategjik ndërmjet të dy vendeve në një nivel më të lartë.  

Xi Jinping-u theksoi po ashtu se të dyja palët duhet të konsolidojnë besimin e ndërsjellë politik, të respektojnë interesat thelbësorë të njëri-tjetrit dhe të forcojnë bazën politike të marrëdhënieve të bashkëpunimit strategjik dypalësh. Sipas tij, Kina dhe Turqia duhet të fokusohen në zhvillimin e bashkëpunimit, të shfrytëzojnë rolin dhe epërsitë  e mekanizmit të bashkëpunimit ndërmjet të dy vendeve, të nxitin shtimin e arritjeve në ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë", si edhe të ruajnë zinxhirët globalë të industrisë e të furnizimit dhe sigurinë ushqimore e energjetike. Të dyja palët duhet të mbrojnë multilateralizmin e vërtetë e të forcojnë bashkëpunimin në kuadrin e OKB-së, G20-s dhe Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait. 

foto/Xinhua

foto/Xinhua

Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan u shpreh se marrëdhëniet turko-kineze kanë bërë përparime të rëndësishme në fusha të ndryshme.  Sipas tij, pala turke është e gatshme të punojë me palën kineze për të përdorur mekanizmat, si Komiteti Ndërqeveritar i Bashkëpunimit ndërmjet të dy vendeve, për të promovuar tregtinë e investimet dypalëshe dhe bashkëpunimin në fusha të tjera. Ai vuri në dukje se plani i "Korridorit të Mesëm” i Turqisë është mjaft i përputhshëm me nismën “Një brez, një rrugë” dhe shprehu shpresën për nxitjen e integrimit të strategjive të zhvillimit të të dy vendeve, për të përshpejtuar zhvillimin dhe përtëritjen e përbashkët të të dy vendeve. Pala turke do të vazhdojë t'i përmbahet me vendosmëri parimit  të“Një Kine”, u shpreh Erdogani.    (Fang Xiaoyu/Artan)