Komisioni Evropian propozon masa emergjente për energjinë
2022-09-16 10:32:14

Foto:VCG

Komisioni Evropian propozoi një sërë masash të reja për të zbutur efektin e çmimeve të energjisë. Masat u njoftuan nga presidentja e KE-së Ursula von der Leyen në fjalimin e saj vjetor për gjendjen e Bashkimit Evropian (BE), në Parlamentin Evropian, në Strasburg.

Sipas planit, i cili ende duhet të miratohet nga vendet anëtare, BE-ja duhet të tatojë fitimet e prodhuesve të energjisë, jo të gazit, dhe duhet t'i detyrojë këto kompani të paguajnë një “kontribut solidariteti” nga fitimet e tyre të vitit 2022, përcjell “Xinhua”.

“Në këto kohë, fitimet duhet të ndahen dhe të kanalizohen tek ata që kanë më shumë nevojë. Propozimi ynë do të mbledhë më shumë se 140 miliardë euro (140 miliardë dollarë amerikanë) për shtetet anëtare për të zbutur drejtpërdrejt goditjen”,- tha von der Leyen.

Kompanitë e energjisë në të gjithë BE-në po përballen gjithashtu me probleme të rënda me likuiditetin në tregjet e energjisë elektrike, duke rrezikuar funksionimin e sistemit energjetik.

“Ne do të punojmë me rregullatorët e tregut për të lehtësuar këto probleme duke ndryshuar rregullat mbi kolateralin dhe duke marrë masa për të kufizuar paqëndrueshmërinë e çmimeve brenda ditës. Ne do të ndryshojmë kuadrin e përkohshëm të ndihmës shtetërore në tetor, për të lejuar sigurimin e garancive shtetërore, duke ruajtur një fushë të barabartë loje”,- tha ajo.

Çmimet e gazit janë rritur me më shumë se 10 herë në krahasim me para pandemisë, sipas von der Leyen. Ajo theksoi se BE-ja po planifikon të reformojë tregun e energjisë elektrike, duke shkëputur ndikimin dominues të gazit në çmimin e energjisë.

Komisioni po propozon gjithashtu krijimin e një Banke të re Evropiane të Hidrogjenit me një buxhet 3 miliardë euro nga Fondi Evropian i Inovacionit. (Irma)