Xi Jinping-u: Kina, mike dhe partnere e besueshme e Kirgizistanit
2022-09-15 14:45:33

foto/Xinhua

foto/Xinhua

Kina ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë mike dhe partnere e besueshme e Kirgizistanit, tha presidenti kinez Xi Jinping në një takim me homologun e vet kirgizistanas Sadyr Zhaparov në Samarkand të enjten në mëngjes.

Xi kujtoi që në shkurt, ai dhe Zhaparovi patën një komunikim miqësor, të thellë e praktik në Pekin, duke arritur shumë konsensuse të rëndësishme.

Kina e mbështet fuqishëm Kirgizistanin në zgjedhjen e pavarur të rrugës së vet të zhvillimit dhe në ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe sigurisë kombëtare, theksoi presidenti kinez, duke shtuar se Pekini kundërshton ndërhyrjen nga çdo forcë e jashtme në punët e brendshme të Kirgizistanit me çfarëdo preteksti.

Xi u shpreh më tej që, në rrethanat e reja, të dyja palët duhet të rrisin mbështetjen e vendosur për njëra-tjetrën dhe të thellojnë në mënyrë të gjithanshme bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë.

Ai u kërkoi të dy palëve që të vazhdojnë të ndërthurin strategjitë e tyre të zhvillimit dhe të zbatojnë mirë planin për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar afatmesëm e afatgjatë Kinë-Kirgizistan.

Pala kineze mbështet projektin hekurudhor Kinë-Kirgizistan-Uzbekistan dhe është e gatshme t'i japë shtysë fillimit sa më parë të ndërtimit të kësaj vepre, theksoi presidenti kinez.

Ai shtoi se Kina mbështet investimin nga më shumë ndërmarrje kineze në Kirgizistan dhe do të lehtësojë shkëmbimin e personelit dhe zhdoganimin e mallrave ndërmjet dy vendeve.

Pala kineze është e gatshme të forcojë bashkërendimin me Kirgizistanin, të krijojë mekanizmin e mbledhjes Kinë + Azi Qendrore (C+C5), të zbatojë Nismën e Zhvillimit Global dhe Nismën e Sigurisë Globale, të mbështesë në mënyrë të vendosur drejtësinë ndërkombëtare e të mbrojë interesat e përbashkëta të vendeve në zhvillim, tha ai.

Nga ana e tij, presidenti Zhaparov kujtoi takimin e suksesshëm me presidentin Xi në shkurt gjatë Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, duke thënë se ky takim ka luajtur një rol të rëndësishëm në udhëheqjen e bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme.

foto/Xinhua

foto/Xinhua

Pala kirgizistanase, theksoi Zhaparovi, i përmbahet me vendosmëri parimit të "Një Kine", beson me vendosmëri se Tajvani është pjesë e patjetërsueshme territoriale e Kinës dhe mbështet me vendosmëri qëndrimet e Kinës për çështjet që kanë të bëjnë me interesat e saj thelbësore, duke përfshirë ato lidhur me Tajvanin, Xinjiang-un e Hong-Kongun. Kirgizistani është i gatshëm të forcojë bashkëpunimin me Kinën në fusha të tilla si ekonomia dhe tregtia, hekurudhat, lufta kundër pandemisë e siguria, si edhe të thellojë partneritetin e gjithanshëm strategjik dypalësh.

Pala kirgistanase përkrah Nismën e Zhvillimit Global e Nismën e Sigurisë Globale të propozuara nga pala kineze, të cilat kanë një rëndësi të madhe për nxitjen e paqes dhe të zhvillimit të gjithë botës, tha presidenti Zhaparov.

Ai shtoi se vendi i tij  është i gatshëm të punojë ngushtë me Kinën për ta bërë Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait një shtyllë sigurie e qëndrueshmërie në Azinë Qendrore dhe për të mbrojtur së bashku sigurinë e qëndrueshmërinë rajonale.

Duke i uruar sukses të plotë Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës (PKK), Zhaparovi tha që ai beson se PKK-ja do ta çojë popullin kinez drejt sukseseve më të mëdha në rrugën e realizimit të përtëritjes kombëtare.

Departamentet përkatëse të të dy vendeve nënshkruan dokumente bashkëpunimi në fusha të tilla si bujqësia, mjekësia, shuarja e zjarreve dhe karantina e bimëve.

Në këtë takim morën pjesë, ndër të tjerë, edhe Ding Xuexiang, Yang Jiechi, Wang Yi dhe He Lifeng.