ShBA, COVID-19 ka shkaktuar humbjen e të paktën 500 mijë krahëve pune
2022-09-15 11:45:41

Reklama e punësimit në një dyqan e veshjeve në Nju Jork, më  8 korrik 2022/ VCG

Reklama e punësimit në një dyqan e veshjeve në Nju Jork, më  8 korrik 2022/ VCG

Sipas njoftimit të së hënës të gazetës amerikane "The New York Times", nga sondazhi i fundit del se pandemia e COVID-19 ka shkaktuar të paktën humbjen e 500 mijë krahëve të punës në ShBA. Përqindja e lartë e përhapjes së varianteve të koronavirusit të ri dhe përqindja e ulët e kthimit në punë pas infektimit janë shkaqet kryesore të kësaj situate. Ekspertët parashikojnë që, nëse përqindja e infektimit nga COVID-19 në ShBA nuk frenohet në mënyrë efikase, mungesa e forcës punëtore do të mbetet një problem për një kohë të gjatë.

Në njoftimin e "The New York Times" thuhet se janë të dukshme ndikimet e pandemisë së COVID-19 mbi tregun e punës: gjatë pandemisë mbi 1 milion amerikanë humbën jetën, 260 mijë prej të cilëve nuk kishin mbushur moshën e pensionit. Si pasojë e pandemisë, miliona amerikanë mund të dalin në pension të parakohshëm ose të detyrohen të largohen nga puna. Sot ndërmarrjet e ndryshme kanë rifilluar punën dhe prodhimin, por të dhënat tregojnë se vullneti i amerikanëve për të punuar, në tërësi, është më i vogël sesa para pandemisë. Në gusht të këtij viti, numri i amerikanëve në punë ose në kërkim pune zuri 62.4 për qind të popullsisë së përgjithshme, një pikë përqindjeje më pak se para epidemisë.

Ndërkohë, sipas njoftimit të gazetës amerikane "The Wall Street Journal", shumë ekonomistë janë të mendimit se pamjaftueshmëria e forcës punëtore përbën një ndër sfidat kryesore të ekonomisë amerikane. Për shkak të mungesës së krahëve të punës, shumë ndërmarrje nuk janë në gjendje të ofrojnë produkte e shërbime të mjaftueshme. Nga këndvështrimi afatgjatë, rritja e ekonomisë së një vendi varet nga shtimi i krahëve të punës dhe ngritja e produktivitetit. Nëse tregu i punës nuk rimbëkëmbet sa më shpejt, shërbimet dhe manifaktura do të pengohen dhe do të jetë e vështirë të realizohet rritja ekonomike. (Wang Lei/ Artan)