Kina dhe Kazakistani, deklaratë për 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike dypalëshe
2022-09-15 13:38:55

Foto: VCG

Kina dhe Kazakistani publikuan të mërkurën një deklaratë të përbashkët për 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet tyre.

Në deklaratë, Kazakistani çmoi lart filozofinë e re të zhvillimit të Kinës dhe objektivat e dy njëqindvjetorëve, ndërsa Kina vlerësoi zbatimin shumë efektiv prej Kazakistanit të strategjisë së tij 2030 dhe shpalljen e strategjisë  2050.

Duke vënë në dukje se besimi i ndërsjellë politik është një bazë e rëndësishme e partneritetit të gjithanshëm strategjik të përhershëm Kinë-Kazakistan, të dyja palët u zotuan të vazhdojnë mbështetjen e tyre të vendosur për çështjet me interes thelbësor të njëra-tjetrës, si sovraniteti kombëtar, siguria dhe integriteti territorial.

Kina ka qenë prej kohësh partnerja kryesore tregtare e Kazakistanit dhe vëllimi i tregtisë dypalëshe është rritur ndjeshëm gjatë 30 vjetëve të fundit. Të dy vendet shprehën dëshirën për të zgjeruar më tej tregtinë dypalëshe, e cila tani mbulon sektorë të ndryshëm, nga energjetika te bujqësia.

Të dy palët do të fokusohen në promovimin e zgjerimit të eksportit të mallrave të prodhuara nga Kazakistani në Kinë dhe në thellimin e bashkëpunimit për "Rrugën e Mëndafshit të tregtisë elektronike", thuhet në deklaratë.

Kina dhe Kazakistani ritheksuan kundërshtimin e tyre ndaj çdo forme të terrorizmit, ekstremizmit e separatizmit, si edhe vendosmërinë e tyre për të luftuar kundër veprimeve të tilla si krimi i organizuar ndërkombëtar dhe trafiku i drogës.

Kina vlerësoi kontributin e rëndësishëm dhe rolin aktiv të Kazakistanit në promovimin e një bote pa armë bërthamore dhe në zbutjen e konflikteve rajonale.

Të dy palët vlerësuan gjithashtu masat e marra prej tyre për të luftuar pandeminë e COVID-19, si dhe përpjekjet e tyre për ta ndihmuar komunitetin ndërkombëtar në këtë luftë.

Të dy liderët ishin të një mendjeje që çështja e gjurmimit të origjinës së COVID-19 nuk duhet të politizohet dhe duhet trajtuar me një qëndrim shkencor.