Kina: ShBA-ja duhet të kthejë menjëherë pasuritë e ngrira të bankës qendrore të Afganistanit
2022-09-15 19:43:00

foto/VCG

foto/VCG

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Mao Ning u shpreh të enjten në një konferencë shtypi se pasuritë e bankës qendrore të Afganistanit të ngrira nga ShBA-ja janë “para jetike” për popullin afgan dhe duhet t'i kthehen menjëherë Afganistanit. 
Të mërkurën qeveria amerikane njoftoi se do të transferonte pasuritë e ngrira më parë të bankës qendrore të Afganistanit, me vlerë 3.5 miliardë dollarë, në “Fondin e Afganistanit” të sapokrijuar në Zvicër. Zv.sekretari i Thesarit i ShBA-së tha se fondi do të sigurojë financim të drejtpërdrejtë për bankën qendrore, vetëm nëse ajo siguron se është e lirë nga ndërhyrjet politike. 

Lidhur me këtë, zëdhënësja Mao Ning u shpreh:“Pasuritë e ngrira të bankës qendrore të Afganistanit nga ShBA-ja janë pronë kombëtare e Afganistanit dhe 'para jetike' për popullin afgan. Pala amerikane duhet t'i kthejë këto pasuri menjëherë, dhe pala afgane duhet t'i trajtojë ato në mënyrë të pavarur e pa pengesa, për të përmirësuar jetesën e njerëzve dhe për rindërtimin paqësor të

Afganistanit. Ne i bëjmë thirrje palës amerikane të ndalojë plotësisht dhe sa më shpejt ngrirjen e pasurive të bankës qendrore të Afganistanit dhe sanksionet e njëanshme, duke mbajtur përgjegjësinë e vet kryesore për rindërtimin paqësor të Afganistanit me veprime konkrete dhe duke i dhënë një shpjegim të përgjegjshëm bashkësisë ndërkombëtare."    (Fang Xiaoyu/Artan)